Editoriali:Drejtësia kosovare ka kapitulluar

  • 03 February 2018 - 17:07
Editoriali:Drejtësia kosovare ka kapitulluar

Çfarë duhet të ndodhë tjetër në këtë vend, që të aktivizohet hetuesia, prokuroria, gjykata, për skandalet e njëpasnjëshme, ku protagonist janë gjithnjë zyrtarët, politikanët apo të afërmit e tyre?! Koha po kalon dhe asnjë rezultat nuk e kemi për aferën e përgjimeve, ku krerët e shtetit dëgjohen duke treguar hapur se si vendosin për gjithçka, kuptohet paligjshëm, se si emërojnë prokurorë e gjyqtarë, drejtorë e kryeshefa, anëtarë bordesh e ambasadorë, duke bërë pazare të pista. Prokuroria po vazhdon të heshtë, ndërsa kur gjen ndonjë të pafajshëm që mund t'ia ngrejë një aktakuzë, e persekuton, sepse nuk ka asnjë pengesë nga politika e mbrapshtë. Ndërkohë, gjyqësori ndjek praktikën e keqe të prokurorisë. Një trafikant famëkeq droge dënohet gati sa një hajdut telefoni! Sistemi ynë i drejtësisë është skandaloz. Lideri i opozitës denoncon hapur një pronar dhe gazetar militant për lidhjet e tij me UDB-në, por të nesërmen, në vend që mysafir t'i shkojë prokurori, i shkon presidenti i Republikës. Liderët mburren kur postojnë fotografi me persona të akuzuar për krim të organizuar, si për të na thënë se "nuk ka kush të na lëvizë", ndërsa mbrojnë veprimet e tyre të paligjshme në çdo hap që hedhin. Ky vend është bërë i frikshëm për të jetuar, nëse kjo çmenduri politike nuk merr fund sa më parë. Institucionet mbesin të kapura, sepse partia që i kapi mbetet komode në pushtet, edhe pse kryeministri i takon një subjekti tjetër. Tashmë, pak rëndësi ka kush është në krye të Qeverisë, sepse rrënjët e mafisë politike janë shtrirë thellë në çdo pore të shtetit tonë. Kushdo që vjen, as që guxon t'i prekë, pasi mund të përballet me hakmarrje përmes rrugëve ligjore. Prokurorët dhe gjyqtarët e dirigjuar nuk përtojnë të zbatojnë urdhrat për shantazh ndaj kujtdo që ua prish rehatinë oligarkëve. Kjo është Kosova në këtë prag dhjetëvjetori të pavarësisë, pa sundim ligji dhe pa perspektivë!

(Kosova Sot)