Mjerim kosovar

  • 09 February 2018 - 15:07
Mjerim kosovar

Të izoluar dhe të pashpresë se do të ketë ndonjë rrugëdalje me këtë garniturë politike që na udhëheq, qytetarëve të Kosovës nuk u mbeten shumë alternativa përpara. Në mungesë të një reformimi të subjekteve parlamentare dhe në pamundësi të krijimit të një partie të re serioze, populli ynë ka mbetur në udhëkryq. Edhe fryma e protestës më nuk është si dikur, kur njerëzit nuk kanë përtuar të shprehin revoltën e tyre ndaj vendimeve të padrejta dhe dukurive negative. Vullneti për të reaguar është më i zbehtë se asnjëherë më parë. Sot, për fat të keq, jo vetëm që e kemi Qeverinë skandaloze, por edhe opozita kurrë më pikë e pesë nuk ka qenë. Më kot sytë drejtohen nga Kuvendi, sepse legjislaturë më të dobët nuk kemi parë deri tash. Deputetë që nënshkruajnë nisma për të cilat më pas thonë se nuk e ditën se çfarë janë duke bërë, veç në Kosovë mund të hasësh! Është ironike kur i dëgjon ligjvënësit kosovarë të rrahin gjoks se si kësaj ndërmarrje apo atij bordi ua ndalën disa bonuse, kur vetë parlamentarët i mbushin xhepat për secilën mbledhje që mbajnë në komisione apo çdo seancë ku janë pjesë- marrës, pavarësisht flasin apo heshtin, siç bëjnë shumica e tyre. Luksin e vet, pushtetarët kosovarë gjithnjë e trashin, kurse varfërinë qytetarëve ua shtrojnë nga dita në ditë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri, nëse do të jenë jetëgjatë, mjerimi i Kosovës, në të gjitha aspektet, do të thellohet në mënyrë alarmante. Edhe optimisti më i madh para formimit të Qeverisë, tash ndihet i zhgënjyer me mënyrën se si janë duke e shpërdoruar pushtetin, politikanët që janë bërë bashkë, në një koalicion, i cili me të drejtë mund të quhet Koalicioni i Zhvatjes. Asnjë sukses të vetëm deri tani nuk ka arritur ta mbërrijë ekzekutivi, ndërsa temat e mëdha, në emër të të cilave ra Qeveria e kaluar, jo vetëm që nuk janë zgjidhur, por as që ka gjasa të marrin një përgjigje të shpejtë. Bllokada vazhdon bashkë me izolimin, kurse pushteti jeton në luks e qytetarët vuajnë të nënshtruar. 

(Kosova Sot)