Editoriali: Asfalti ose metafora kosovare e hajnisë!

  • 14 February 2018 - 17:22
Editoriali: Asfalti ose metafora kosovare e hajnisë!

Secila qeveri që vjen në pushtet tashmë e di fare mirë se mënyra më e shpejtë për të ardhur te përfitimet e majme është përmes tenderëve të mëdhenj. E kush më mirë se investimet në asfalt mund t'ua japë një shans të tillë pushtetarëve. Rreth këtij qëllimi final janë bërë bashkë gjithnjë, pushtet e opozitë. Asnjëherë nuk i dëgjon të ankohen as njëra, as tjetra palë, sepse interesat janë të përbashkëta kur bëhet fjalë për tenderomani, miliona, përfitime, vota etj. Kësisoj, shpjegimi për nxitimin e Qeverisë aktuale, për të nisur Autostradën e re drejt Gjilanit, është fare i thjeshtë. 88 milionë euro është shuma fillestare, sepse bazuar në praktikat e mëhershme kostoja e projekteve infrastrukturore të tilla mbërrin vlera dukshëm më të larta. Edhe ky projekt sigurisht se do ta kalojë njëqind milionëshin. Kosova vërtet ka nevojë për rrugë të mira, infrastrukturë të zhvilluar, por në këtë dekadë të shtetësisë asfalti që e shtruan qeveritë kosovare me koston më të shtrenjtë në Evropë nuk rezulton të ketë qenë investim i duhur, ndërsa për transparencën dihet se ka qenë zero. Ne mund të mburremi se po vlojmë nga autostradat, por po të shkosh në spitalet e shtetit vuan për gjëra elementare. Po t'ia mësysh universiteteve e kolegjeve, dija që merr aty nuk të përgatitë as përafërsisht për tregun e punës. Arsimi dhe shëndetësia nuk hodhën asnjë hap përpara, ndërsa me asfalt pacientët nuk shërohen dhe studentët nuk arsimohen. Kosova ka mundur të gjejë burime të tjera financimi edhe për autostradat që u ndërtuan e po ndërtohen, por oligarkët preferuan nga buxheti i shtetit, sepse atë e kanë nën kontroll të plotë, ashtu siç i kontrollojnë firmat e ndryshme fantome që marrin tenderë të mëdhenj e pastaj ua shpërndajnë të tjerëve. Ka dyshime serioze për korrupsion në këto raste, por me këtë drejtësi të kapur dhe me perfiditetin e pushtetit për të vjedhur fondet publike zor se do të përfundojë në burg ndonjë peshk i madh. Qytetarëve të lodhur u mbetet të shikojnë se si jetojnë në luks politikanët dhe familjarët e tyre, duke abuzuar pasurinë publike paturpësisht dhe kriminalisht!

(Kosova Sot)