Editoriali: Modeli kriminal i shtetit

  • 16 February 2018 - 17:12
Editoriali: Modeli kriminal i shtetit

Po t'i dëgjosh udhëheqësit e Kosovës kur flasin, sidomos për veriun, në këtë përvjetor të dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, të duket se në këtë pjesë gjithçka është në rregull, sundon ligji dhe serbët respektojnë sovranitetin e integritetin territorial të Republikës. Por, gjithmonë duhet të vijë dikush nga jashtë, siç ishte ministri i jashtëm i Gjermanisë, i cili dje qëndroi në pjesën veriore dhe e konfirmoi hapur se atje ka kriminalitet masiv të organizuar! Vrasja para pak ditësh e një politikani lokal serb, Oliver Ivanoviq, i dënuar nga Gjykata për krime lufte kundër shqiptarëve, është një episod i rëndë, i prodhuar nga ky ambient kriminal. Gati 19 vjet pas lufte dhe dhjetë vjet pas pavarësisë, institucionet kosovare nuk kanë arritur ta shtrijnë ligjshmërinë edhe në pjesën veriore, ku strukturat paralele, pavarësisht marrëveshjeve që i ka bërë Hashim Thaçi në Bruksel, dirigjojnë çdo gjë dhe nuk pyesin fare për shtetësinë e Kosovës. Shqiptarët zihen se cilin flamur ta valojnë në Prishtinë, ndërsa në veriun e Mitrovicës nuk ka kurrfarë mëdyshjesh, sepse atje është vetëm një flamur, ai i Serbisë. Rrahagjoksët e politikës kosovare vazhdojnë të mburren për arritjet e këtyre viteve, por duhet ta pranojnë publikisht se nën udhëheqjen e tyre ky vend ka degraduar tej mase. Ky degradim është i frikshëm, sepse nuk ka të ndalur dhe asnjë parti nuk premton se mund të bëjë ndryshime. Të gjithë kur vijnë në pushtet, siç edhe e kemi shembullin më të freskët me qeverinë aktuale, shohin vetëm interesin personal, klanor, kriminal. Si rrjedhojë, as veriu nuk ka gjasa të shkëputet nga modeli kriminal, sepse duke e parë Prishtinën zyrtare të zhytur në korrupsion nuk ka asnjë arsye apo frikë se dikush do t'ua prishë terezinë e tyre. Shteti ynë, nëse duam që një ditë të kemi rend dhe ligj, duhet të shkëputet nga mafio-oligarkët që mbajnë gjithçka nën kontroll. Përndryshe, përvjetorin tjetër të pavarësisë popullsia do të reduktohet në mënyrë drastike, sepse askush nuk do të jetojë në një vend të tillë!

(Kosova Sot)