Editoriali: Imagjinata e një kryeministri - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Imagjinata e një kryeministri

Editoriali: Imagjinata e një kryeministri

Pasi e tha qartë në fjalimin e tij drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës, me rastin e përvjetorit të dhjetë të Pavarësisë, se Shqipëria dhe Kosova mund të kenë një president të përbashkët, kryeministri shqiptar është zmbrapsur menjëherë, duke lënë të kuptohet se ishte më tepër një "blof" i tij. Por, për një lider serioz që udhëheq një shtet, i cili nderohet duke mbajtur edhe fjalim, megjithëse nga pozita një gjë e tillë do t'i takonte presidentit të shtetit, nuk e ushtron detyrën duke zhvilluar imagjinatën. Për piktorin është e natyrshme shprehja imagjinative, ndërsa për politikanin fjala ka peshë të madhe. Këshilltarët e tij nga Kosova nuk po e udhëzojnë si duhet Edi Ramën që vazhdimisht po bën veprime provokative, pa kurrfarë dobie, sepse as Shqipëria, as Kosova gjë prej gjëje nuk përfitojnë nga ky fjalor populist, imagjinativ dhe i kotë. Se sa ka bërë për Kosovën udhëheqësi socialist, që tani e ka mandatin e dytë qeverisës, e tregojnë faktet dhe shifrat, të cilat ai zakonisht dëshiron t'i injorojë. Shqipëria dhe Kosova veprojnë si dy shtete krejtësisht të ndara dhe të ndryshme, me legjislacione dhe praktika aspak të njëjta, në fushat kryesore. Edhe disa marrëveshje, që janë bërë në mbledhjet e përbashkëta të të dy qeverive, nuk janë duke u zbatuar fare. Është premtuar heqja e doganës mes dy vendeve, por është forcuar kontrolli doganor. Kolona veturash bëhen shpesh në kufirin shqiptaro-shqiptar! Sidomos në rrafshin ekonomik ka një hendek të thellë, sepse lobet e biznesit, veçanërisht ai serb, e kanë shtrirë dukshëm ndikimin në tregun shqiptar, pasi bënë kërdinë në atë të Kosovës. Kryeministri duhet të flasë me fakte, me vepra, e jo me imagjinatë. Këtë të fundit mund ta zhvillojë për veprat e tij të artit, që nuk heziton t'i ekspozojë duke shfrytëzuar natyrisht pozicionin e tij në krye të Qeverisë. Rama, ashtu si liderët shqiptarë të Kosovës, është vënë në shërbim të oligarkëve dhe për interesa personale, klanore, bën shpesh deklarata të tilla të pamatura. Vetë fakti se në cilën media e shpreh imagjinatën Rama tregon shumë se kujt po i shërben ai.

(Kosova Sot)

1 orë e 13 minuta më parë
25/09/18