Editoriali: Fati i Demarkacionit në duart e Beogradit

  • 22 February 2018 - 16:59
Editoriali: Fati i Demarkacionit në duart e Beogradit

Opozita e madhe në numër, por e shkapërderdhur, po e humb shansin e parë serioz që t'i japë fund kësaj qeverisjeje të dështuar e të kriminalizuar, zhvatëse të buxhetit dhe rrënuese të ligjshmërisë. Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte një rast i mirë, për të unifikuar faktorin politik shqiptar, karshi politikës ofensive të Serbisë, por politikanët tanë të mbrapshtë e humbën edhe këtë rast. Lidhja Demokratike, edhe pse e pësoi pikërisht për shkak të Demarkacionit, e ka ulur kokën e pritet të japë votat, pa kurrfarë kushti. Ndërsa Lëvizja "Vetëvendosje", edhe pse e përçarë, mund t'i qëndrojë besnike refuzimit të një marrëveshjeje, të cilën e kundërshtoi me protesta, gaz në Kuvend, etj. Për grupin kundërshtar të Albin Kurtit, mbështetja e Demarkacionit të kamufluar me një deklaratë të nënshkruar nga presidentët e Kosovës e Malit të Zi, do të përbënte një goditje të rëndë, ende pa e formalizuar partinë e re dhe grupin e ri parlamentar. Me një fjalë, opozita, që e ka humbur rrugën në oborr, njësoj si Qeveria e shantazhuar në çdo hap, me veprimet e saj është duke e faktorizuar sërish Listën Serbe. Deputetët e kësaj të fundit, para seancës parlamentare, ia mësynë Beogradit për të marrë udhëzimet e presidentit Vuçiq, të cilat vetëm në favor të Kosovës nuk mund të jenë. Pazare të reja mund të priten së shpejti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të cilin edhe Gjykata Kushtetuese e ka vlerë- suar si mekanizëm antikushtetues, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel. Politika kosovare po ridëshmohet e paaftë për të punuar në interes të Republikës. Kur ra Qeveria "Mustafa", këta që erdhën në pushtet thanë se për temat e mëdha duhet guxim e vendimmarrje, e tash, për temat e mëdha, vendimmarrja po vjen përmes Beogradit. Sa poshtë e qitën Kosovën, këta liderë të pamençur!

(Kosova Sot)