Editoriali: Qeveria i do investitorët për t'i zhvatur

  • 27 February 2018 - 17:08
Editoriali: Qeveria i do investitorët për t'i zhvatur

Pushtetarët kosovarë ia mësynë Londrës, për të prezantuar projektet shumëmilionëshe duke u mburrur në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me "arritjet" në përmirësimin e ambientit biznesor në Kosovë. Në fakt, klima ekonomike në vendin tonë është në përkeqësim e sipër edhe me Qeverinë aktuale, e cila deri tash nuk ka dëshmuar as vizion zhvillimor, as vullnet për mbështetjen e sipërmarrjes private e as aftësi e kapacitete profesionale, menaxheriale. Me ekzekutivin e tashëm, borxhi po arrin shifrën një miliard, sa gjysma e buxhetit vjetor, ndërsa planifikimet e gabuara buxhetore rrezikojnë thellimin e detyrimeve në vitet e ardhshme. Nga ana tjetër, mungesa e një strategjie të qartë për nxitjen e zhvillimit ekonomik e ka bërë Kosovën një vend të padëshirueshëm edhe nga vetë banorët e saj. Kryeministri ynë dje u mburr në Samitin e Londrës se Kosova ka popullatën më të re në Evropë, ku 65 për qind e saj janë nën moshën 35- vjeçare, por "harroi" të përmendë faktin se mbi 60 për qind e të rinjve janë të papunë. Kreu i Qeverisë theksoi se të rinjtë tanë kanë përvetësuar në masë të madhe teknologjinë informative, por këshilltarët e tij gabimisht janë bazuar në "aftësinë" e përdorimit të rrjeteve sociale, sepse sa i përket edukimit, formimit akademik, aftësimit profesional, edhe ata dhjetëra mijëra me mastera, që prodhohen në seri, nga universitetet e politizuara publike dhe kolegjet private të komercializuara tej mase, nuk përmbushin kërkesat e tregut të punës. Mbi të gjitha, problemi themelor është mungesa e sundimit të ligjit në këtë vend të degraduar e të zhytur thellë në korrupsion, qeverisje klienteliste, nepotizëm dhe mungesë meritokracie. Të jesh i aftë, i ditur, i shkolluar, kreativ, nuk je i dëshirueshëm për partitë dhe pushtetin në Kosovë. Shiheni vetë përbërjen e Qeverisë dhe lehtë mund të bindet secili, se njerëzit e zotë të Kosovës vazhdojnë të mbesin në hije, përderisa institucionet udhëhiqen nga analfabetët dhe të inkriminuarit. Ky pushtet, investitorët nuk i do për ta zhvilluar vendin, por, thjesht, që t'i zhvatë sa më shumë.

(Kosova Sot)