Asociacioni kushtëzon Demarkacionin

  • 28 February 2018 - 17:51
Asociacioni kushtëzon Demarkacionin

Seanca e sotme mund të jetë një dështim i radhës, nëse nuk ka marrëveshje paraprake politike mes partnerëve të koalicionit qeveritar. E aty partneri kryesor është Lista Serbe, e cila ka një kusht për të mbështetur agjendën e PAN-it, që është ecja përpara me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Pra, nëse partitë shqiptare ia hapin rrugën "Zajednicës", edhe ratifikimi i marrëveshjes së kufirit është punë e kryer. Takimi "teknik" në Bruksel është zhvilluar në rrethana krejtësisht jotransparente, por zyrtarët e BE-së nuk e kanë fshehur faktin se ndër të tjera është biseduar edhe për Asociacionin. Një pjesë e pushtetarëve aktualë kishin bllokuar për mua tërë Kuvendin me gaz lotsjellës dhe kishin protestuar kundër marrëveshjes antikushtetuese për themelimin e Asociacionit të serbëve, ndërsa sot nuk hezitojnë të ulen rreth një tryeze me palën serbe, që të diskutojnë modalitetet e zbatimit të marrëveshjes në fjalë. Asociacioni pra është i lidhur ngushtë me Demarkacionin dhe kushtëzimet, edhe pse Qeveria mund t'i fshehë, janë të njohura tashmë për publikun. Ratifikimi rastësor nuk është I mundshëm, ndërsa si alternativë mund të paraqitet shitblerja e ndonjë deputeti, që si rëndom ndodh në Kuvend. Megjithatë, duket se nuk është kaq e lehtë të finalizohet Demarkacioni, pas një zvarritjeje gati trevjeçare. Fatkeqësisht, politikës nuk i ngutet që të nxjerrë nga izolimi qytetarët e lodhur të Kosovës. Shumica e politikanëve kanë pasaporta të vendeve të tjera dhe bashkë me familjarët e tyre nuk kanë telashe për të udhëtuar. Këtu hyjnë pozita e opozita, pa kurrfarë dallimi. Dilemat rreth të dyja marrëveshjeve janë ende të mëdha, prandaj nuk dihet se çfarë drejtimi mund t'i japë së paku njërës prej tyre seanca e sotme. Sidoqoftë, ata që e nisën këtë valle duhet ta çojnë deri në fund, sepse kjo qeveri u formua në emër të vendimeve të mëdha e nëse nuk i merr, atëherë shterojnë arsyet që të qëndrojë edhe më tutje në pushtet.

(Kosova Sot)