Po vjen era zgjedhje të jashtëzakonshme! - Editoriali - Kosova Sot
Po vjen era zgjedhje të jashtëzakonshme!

Po vjen era zgjedhje të jashtëzakonshme!

Shpeshtimi i seancave që dështojnë për mungesë kuorumi është tregues serioz për shpërbërjen e Kuvendit. Përfaqësuesit e popullit nuk po mërziten shumë për sovranin, por janë duke ndjekur agjenda private, klanore, korruptive. Atyre nuk u ngutet për asgjë, sepse edhe nuk ka ndonjë pasojë në rast të mosmarrjes pjesë në seancë. Rroga e majme u ecën. E kush pyet për njerëzit e lodhur nga ky pushtet monstrum! Dje, e tërë Kosova për orë të tëra ishte në terr, ndërsa parlamentarët tanë talleshin me publikun. Njësoj vepron edhe Qeveria, të cilën e zgjodhi po ky Kuvend anormal. Vendimet e ekzekutivit janë të nxituara, të paargumentuara dhe arrogante. Vërtet ka nevojë për të shkarkuar ndoshta gati të gjitha bordet e agjencive dhe kompanive publike, sepse dështimi i tyre është i madh, por duhen ndjekur rrugët ligjore, si dhe duhen bërë transparente arsyet e shkarkimit.

Në rastin e Agjencisë së Akreditimit, përveç dy rreshtave të thatë të Qeverisë, nuk ka pasur asnjë arsyetim tjetër, gjë që krijon hapësirë për dyshime për politizimin e këtij institucioni, që do të duhej të funksiononte autonom në punën e tij. Shpresat se me këtë Qeveri mund të ketë shkapje të shtetit,janë shuar tashmë, sepse nuk ka as edhe një shenjë, që diçka do të lëvizë në këtë drejtim. Duke qenë e shantazhuar në secilin hap që hedh dhe vendim që merr, Qeveria do të ecë me këtë ritëm të improvizuar, me një vendimmarrje 'ad hoc', që hapur synon akomodimin e interesave të oligarkëve partiakë, si dhe mafio-bizneseve që ushqejnë politikanët e korruptuar. Ky Kuvend mund të tentojë t'ia zgjasë jetën vetes, por është më se e qartë se në këtë mënyrë si ka funksionuar deri sot nuk mund të ketë kurrfarë dobie. Edhe pse nuk është bërë ende një vit nga zgjedhjet parlamentare, të gjithë treguesit çojnë drejt kutive të votimit të paktën deri në verë. Kuptohet, hajnia shtetëror, ndërkohë, do të përjetojë kulminacionin e saj!

(Kosova Sot)

22 orë e 4 minuta më parë
18/09/18