Editoriali:Epopeja

  • 06 March 2018 - 17:01
Editoriali:Epopeja

Për tri ditë me radhë do të përkujtojmë rënien heroike të Adem e Hamëz Jasharit me familjarët e tyre. Dy dekada jubilare pas kësaj ngjarjeje që shënoi kthesë historike, të gjithë flasin për luftën e UÇK-së, protagonistët e saj, dëshmorët dhe heronjtë, sakrificën sublime të Familjes së Madhe Jashari për lirinë e Kosovës. Para 20 vjetësh, gatishmëria për të dhënë gjithçka për vendin ishte e jashtëzakonshme, por sot gjërat kanë ndryshuar. Një tjetër gatishmëri është shfaqur prej vitesh tashmë-gatishmëria për ta zhvatur e për ta vjedhur Kosovën! Kur i sheh sot disa "personalitete", që emrin e tyre e lartësuan në flakët e luftës, tek flasin me mburrje për të rënët, por vetëlavdërohen për kontributin vetjak, nuk ke se si mos të ndihesh tepër i fyer. Arritjet nuk bën të nënçmohen, por le ta themi me zë të lartë -kjo nuk është Kosova për të cilën ranë Jasharët dhe shumë shqiptarë të tjerë, që e deshën popullin e tyre dhe luftuan për ta çliruar nga zgjedha fashizoide serbe. Nuk është e rastësishme ftohja që vërehet gjithnjë edhe në evente publike mes familjes së parë Emblematike Jashari dhe kreut të vendit, i cili paturpësisht tenton të përvetësojë të gjitha meritat për luftë e për paqe. Se sa serioz është shteti ndaj kësaj sakrifice të jashtëzakonshme dëshmon edhe neglizhenca e qëllimshme që i është bërë ndërtimit të kompleksit të Jasharëve. Kjo Familje Emblematike e kombit tonë meriton garanci ligjore dhe financiare, trajtimin më të mirë të mundshëm nga shteti dhe jo vetëm tri ditë aktivitete, që shfrytëzohen nga disa politikanë, për t'u paraqitur si kinse bashkëluftëtarë e pasues të Adem Jasharit. Asnjë lider, që pas lufte abuzoi me pushtetin, zhvati buxhetin, korruptoi zyrtarët e bizneset, degradoi institucionet, shkatërroi arsimin e shëndetësinë, biznesin e diplomacinë, e vrau shpresën e të rinjve të këtij vendi nuk ka të drejtë të thirret në sakrificën e Familjes së Madhe të Jasharëve. Epopeja është e popullit të Kosovës, ndërsa politikanët e inkriminuar le të rrinë larg saj. 

(Kosova Sot)