Një masakër arsimore

  • 08 March 2018 - 16:57
Një masakër arsimore

Po të kishim drejtësi, i apostrofuari dje nga kryeministri si "hajn ordiner" e "i korruptuar" do të ballafaqohej urgjentisht me Prokurorinë. Të gjithë e dinë fare mirë se të marrësh një pozitë të lartë publike në Kosovë, të paktën deri më sot, është e pamundur të mbetesh i pavarur e autonom në vendimmarrje. Si rrjedhojë, sidomos në institucionet, agjencitë e kompanitë me peshë, emërimet janë situr mirë nga parapolitika e pastaj edhe nga pushteti, prandaj zakonisht kryetarët e bordeve, shefat ekzekutivë, drejtorët kanë shërbyer si zbatues të direktivave partiake, mafioze e korruptive. Se pse e kanë bërë këtë, ata duhet të japin vetë shpjegime, por praktika kriminale kosovare nuk lë shumë hapësirë për t'u justifikuar. Me pak fjalë, oligarkët e Kosovës, edhe pse të pashkollë, e kuptuan rëndësinë që kishte arsimi dhe e futën në kthetrat e tyre. Gati dy dekada pas luftës, dija dhe shkenca iu nënshtrua krejtësisht thundrës së disa politikanëve despotë, pa pëlqimin e të cilëve nuk zgjidhet rektori, nuk akreditohet kolegji, nuk avancohet stafi akademik, nuk punësohen kuadrot universitarë, nuk jepen titujt shkencorë. Mafiozët e pushtetit e nuhatën herët fitimin që mund të kishin nga biznesi kriminal me arsimin dhe lejuan që të mbijnë kolegjet si kërpudhat pas shiut. Qarkullimi i tyre është qindra- milionë euro në vit dhe falë një Inspektorati të MASHT-it, joefektiv e Agjencisë së kapur të Akreditimit, pronarët formalë dhe joformalë arrijnë të kenë përfitime të jashtëzakonshme duke tregtuar diploma. Ndërtimi i një rrjeti klientelist e ka bërë të pamundur kontrollimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë privat. Zyrtarët janë ligjërues ngado në kolegje, japin mësim gjyqtarë e prokurorë, kryeshefa e drejtorë, ministra e këshilltarë, anëtarë bordesh e deputetë. Ata që do të duhej të zbatonin ligjin, nuk kanë interes ta bëjnë një gjë të tillë. Në anën tjetër, për të punësuar armatën partiake nuk mbeti komunë pa një universitet publik. Kuvendi dje nxori disa rekomandime për përjashtimin e Kosovës nga EQAR-i, por kjo nuk mjafton. Një komision hetimor duhet të formohet për ta nxjerrë të vërtetën e mafisë së arsimit, që bashkëpunon ngushtë me pushtetin

(Kosova Sot)