Editoriali:Fluturoi, fluturoi… kryetari mashtrues!

  • 09 March 2018 - 17:25
Editoriali:Fluturoi, fluturoi… kryetari mashtrues!

"Jepi krahë Prishtinës" ishte slogani i kryetarit mashtrues të kryeqytetit, i cili rrëmbeu mandatin e dytë pas një gare tepër të ngushtë në balotazh, ku me gjasë vendosën sponsorët e tij, me milionat e tyre të pistë. Oligarkëve që e kanë financuar edhe sa ishte në FER u duhej Shpend Ahmeti edhe një mandat, për të finalizuar disa projekte miliardëshe, mbi kurrizin e kryeqytetasve dhe pasurisë publike. Por, pengesa tjetër, Lëvizja 'Vetëvendosje', detyrimisht duhej shmangur përfundimisht, prandaj edhe mbërriti e paralajmëruar dorëheqja nga VV-ja e nënkryetarit të partisë. Ky i fundit priti derisa u tërhoq klani i tij, të cilin e udhëhiqte prej kohësh, që i ngjan atij "Pronto" dhe në fund shkroi një letër në 'Facebook' e u përshëndet me subjektin që në fakt i dha vërtet krahë të pamerituar atij! Por, hesapet e kryetarit të njohur si Shpend Jahti, për shkak se në një moment u zu në flagrancë në jahtin luksoz të Devollëve të inkriminuar, kinse duke pirë 'coca cola zero', duket se janë bërë pa hanxhiun. E hanxhiu është vet sovrani. Ligji ua jep mundësinë zgjedhësve ta shkarkojnë shume shpejt kryetarin, e me gjasë një gjë e tillë edhe mund të ndodhë, sepse shpërthimi i pakënaqësive nga votuesit është tepër i jashtëzakonshëm. Këtu nuk është thjesht një çështje e inateve për votën e shpërdoruar dhe legjitimitetin e humbur tashmë të kreut të komunës, por është në pikëpyetje fati i pasurisë së kryeqytetit dhe shpërdorimit kriminal të pushtetit nga Ahmeti mashtrues me shokë. Në tërë këtë histori edhe kriminale, Prokuroria Speciale nuk duhet të heshtë, por të veprojë shumë shpejt , edhe pse dihet se sponsorët e Shpendit rregullisht i korruptojnë prokurorë e gjyqtarë te inkriminuar. Megjithatë, nuk mund ta mbrojnë pafundësisht kryetarin e deligjitimuar tashmë, sepse ditët e tij të fundit mund të jenë të numëruara. Ai tashmë nuk ka mbështetje në Kuvendin Komunal, e ka humbur përkrahjen e ish-partisë së tij dhe si rrjedhojë ajo çka i mbetet është të japë dorëheqje të parevokueshme. Por, duke qenë mashë e oligarkëve, pa i thënë ata, ai nuk jep dorëheqje. Sidoqoftë, sovrani i Prishtinës kryeqytet nuk duhet të lejojë që mashtrimet e Shpend Ahmetit të kthehen në makth për ta javët dhe muajt e ardhshëm.

(Kosova Sot)