Marrëzia e një politike të dështua

  • 14 March 2018 - 18:48
Marrëzia e një politike të dështua

Kuvendi sërish ka dështuar dje që të mbajë një seancë parlamentare, ndërsa opozita ka shtuar zërat që kërkojnë zgjedhje të reja. Por, çfarë do t'i ofrojnë popullit këto parti, edhe nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare?! Cila parti paraqet aktualisht alternativë të daljes nga kjo krizë e rëndë që e ka përfshirë vendin tonë? Asnjëra! Me devalvimin e Lëvizjes 'Vetëvendosje' nga grupi i Shpend Ahmetit me shokë, përfundimisht shpresa në këtë brez politik është shuar. Këta nuk janë politikanë që ia duan të mirën vendit, por thjesht militantë partiakë dhe mercenarë politikë, të cilët vetëm e shohin paranë e asgjë tjetër nuk u bën përshtypje. Edhe kalimet nga partia në parti, nga pozita në pozitë, nga studioja në studio, përfaqësojnë pazaret për pushtetin dhe përfitimet e paligjshme që bëhen në kurriz të taksapaguesve të Kosovës. Bashkërisht, pozitë e opozitë, nuk mërziten shumë për vuajtjet e njerëzve, nëse nuk kanë ushqim e veshmbathje të mjaftueshme, nëse nuk kanë punë, nëse presin me muaj për një vizë para dyerve të ambasadave perëndimore. Këto subjekte janë mjerimi i vërtetë i këtij vendi. Kosovës i duhet sa më parë një frymë e re politike, njerëz tërësisht të rinj në pushtet, të papërlyer. Kushdo që e preku pozitën nuk mbeti i papërlyer. Kjo garniturë mafioze është mësuar që t'i komprometojë të gjithë zyrtarët sapo e marrin pozitën, duke i shantazhuar më pas për qëllime përfitimi. Kështu shteti nuk ndërtohet, por perspektiva jonë bëhet gjithnjë e më e errët. Zgjedhjet mund të japin një frymëmarrje të përkohshme, por sërish do të përballemi me fytyrat e njëjta, të stërkonsumuara tashmë. Porosinë më të mirë këtyre politikanëve të papërgjegjshëm do t'ua jepte populli, përmes protestave masive. Vetëm reagimi qytetar mund t'i detyrojë pushtetarët t'i japin fund kësaj marrëzie dhe të mos na vjedhin e zhvatin më, siç kanë bërë dhe janë duke bërë edhe më tutje. 

(Kosova Sot)