Llogaridhënie për çdo cent!

  • 17 March 2018 - 16:14
Llogaridhënie për çdo cent!

A ju kujtohet para disa vjetësh, kur u zgjodh kryeministër ky që e kemi sot president? Ndër zotimet e tij ishte llogaridhënia për çdo cent të shpenzuar nga Qeveria, të cilën e udhëhiqte. Kuptohet, një fjalë e pambajtur si të gjitha të tjerat që do të vinin më pas. Jo vetëm për centët, por për miliarda të shpenzuara nuk pati kurrë transparencë dhe adresim të përgjegjësisë. Një përqindje e madhe e fondeve publike, dyshohet se përfunduan dhe vazhdojnë të përfundojnë në xhepat e oligarkëve të pasluftës e shpurave të tyre, miqve e familjarëve të ngushtë, që nuk e fshehin aspak jetesën e tyre të shtrenjtë dhe luksoze. Pasi e shtrinë sundimin në çdo qelizë shtetërore, krerët e Kosovës betejën kryesore në prag të ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale e kanë për imazhin e tyre. Më i përfoluri dhe më i rrezikuari është pikërisht ai që këtë javë u përpoq të mashtronte publikun me gjoja disa promovime të librit autobiografik. Se sa është i rëndësishëm për botën ky libër reklamues i presidentit tonë, dëshmon fakti se asnjë media e njohur ndërkombëtare as që merret me këtë ngjarje. Vetëm disa medie lokale, të kontrolluara nga pushteti, u përpoqën ta zbukuronin librin vetëlavdërues. Nëse fondet për këtë botim do të paguheshin nga xhirollogaria e "burrështetasit" kosovar, debati mund të bëhej vetëm për përmbajtjen, por duket se pagesat janë bërë me paratë e taksapaguesve kosovarë. Një nismë në Kuvend për hetimin e lobimeve të tilla, duhet të mbështetet nga përfaqësuesit e popullit. Jo vetëm për këtë rast, por për secilin shpenzim që bëjnë autoritetet publike, duhet të kërkohet llogari. Nuk ka institucion që ka buxhet e nuk bën abuzime. Për Kuvendin që mbikëqyr Qeverinë, bordet, agjencitë etj., ka aq shumë punë, sa nuk do të mundnin të bënin një ditë pushim. Fatkeqësisht, ky Kuvend është larg ushtrimit të përgjegjë- sive ligjore e kushtetuese që ka. Por, herët e vonë, secili do të japë llogari për vendimet e tij! 

(Kosova Sot)