Editoriali:Mafia e ushqimit, kërcënim serioz për qytetarët

  • 24 March 2018 - 17:02
Editoriali:Mafia e ushqimit, kërcënim serioz për qytetarët

 Mijëra tonë mish pa afat, deri para 12 vjetësh, siç u konfirmua në rastin e mishit të importuar nga Belgjika, e kanë kaluar Doganën e Kosovës pa kurrfarë problemi. Jo vetëm mishi, por dhjetëra e qindra produkte ushqimore, të cilat e kanë vërshuar tregun tonë, rezultojnë pa afat dhe me cilësi të dyshimtë kancerogjene.

Në këtë biznes miliardësh po e pëson i tërë populli ynë i varfër. Tregtia me ushqimet e dëmshme bëhet hapur tashmë, ngase përfitimet janë marramendëse dhe dëmet të tmerrshme. Mjafton të shohësh reklamat me çmimet përtokë të mishit dhe nënprodukteve, qumështit dhe produkteve të tjera. Ato nuk kanë kurrfarë vlerash ushqyese, ndërsa janë të rrezikshme për shëndetin e vrasjen e njerëzve. Por, gjendja e rëndë sociale i detyron qindramijëra kosovarë të jenë blerës të rregullt të mallrave ushqimore të lira dhe jashtë çdo standardi.

Oligarkët e biznesit e kanë pasur të lehtë ta shfrytëzojnë kërkesën në rritje për produkte të tilla dhe e kanë vërshuar tregun me gjithfarë ushqimesh. Duke shfrytëzuar lidhjet korruptive me pushtetin, magnatët e tregtisë kriminale e vrasëse në Kosovë i kanë pasivizuar organet kompetente shtetërore, për t'i pasur duart e lira edhe ngase së bashku përfitojnë. Vetëm në raste aferash të mëdha, siç është kjo e mishit të importuar nga Belgjika, autoritetet detyrohen të vihen në lëvizje, gjoja po kontrollojnë bizneset e po marrin masa.

Në fakt, nën hundën e Doganës, Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, inspektorateve të tregut dhe të shëndetësisë, krimi me ushqimin ka marrë përmasa alarmuese. Kurrë më të pasigurt nuk kemi qenë sesa sot, kur shteti ligjor është thuajse inekzistent e nuk kontrollon gati asgjë. Kuvendi duhet të ndërmarrë një debat urgjent dhe sa më shpejt të ngrejë një komision hetimor, duke adresuar përgjegjësinë te mekanizmat përkatës. Vendit i duhet një vizion krejtësisht tjetër për ushqimin, duke mbështetur rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore edhe përmes subvencioneve mbështetëse, e duke vendosur kritere të rrepta për produktet e importuara. Aktualisht, mafio- oligarkët e industrisë dhe tregtisë së ushqimit e kanë shndërruar Kosovën në një depo, ku gjen strehë çdo gjë dhe askush nuk e di më se çfarë i servohet në tryezë.

(Kosova Sot)