Editoriali:Ministrat e akuzuar nuk ka kush t'i shkarkojë

  • 13 April 2018 - 17:04
Editoriali:Ministrat e akuzuar nuk ka kush t'i shkarkojë
Të paktën tre ministra të qeverisë 'Haradinaj' janë të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por edhe më tutje vijojnë të jenë pjesë e ekzekutivit. Ministrat Besim Beqaj, Pal Lekaj dhe Valdrin Lluka janë pjesë e aktakuzave në tri raste të ndryshme. Një kabinet serioz nuk do t'i mbante më anëtarët e akuzuar për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tyre, institucionet do të duhej të vendosnin një standard moral, por edhe ligjor në rastet e ngritjes së aktakuzave nga sistemi i drejtësisë. Të qenit në pushtet krijon mundësi ndikimi të hapur ndaj organeve të sundimit të ligjit, prandaj edhe të pushtetshmit duhet ndonjëherë të ballafaqohen me akuzat si qytetarët e thjeshtë. Sidoqoftë, me këtë përbërje qeveritare dhe këtë mënyrë të funksionuarit të koalicionit kryeministri duket personi më i pazoti që të vendosë një standard të largimit nga qeveria të secilit që mund të ketë aktakuzë të ngritur. Në fakt, vetë koalicioni qeverisës është bërë edhe me liderë të përfshirë në procese gjyqësore. Kreu i ekzekutivit eventualisht mund të ushtrojë autoritetin ndaj anëtarëve të partisë së tij që kanë funksione të larta shtetërore, sepse për anëtarët e partive të tjera, që janë pjesë e qeverisë, kuptohet se kryeministri as që pyetet. Ky është një tjetër problem, sepse në një demokraci normale kryeministri duhet të ushtrojë autoritetin e tij mbi të gjithë anëtarët e ekipit qeverisës, pa kurrfarë dallimi. Në rastin e Kosovës, ministrat e secilës parti e kanë kryeministrin e tyre -liderin përkatës partiak. Përjashtim këtu bën Lista Serbe, e cila llogaridhënien dhe urdhërmarrjen e ka jashtë Kosovës, në Beograd. Kjo skemë qeveritare e bën edhe më jofunksional dhe lehtësisht korruptiv pushtetin aktual, prandaj si rrjedhojë sa më parë dështon kjo formulë qeverisëse dhe hapet mundësia për një qeveri të re, aq më mirë do të jetë për Kosovën. Si duket, këtë argument e kanë kuptuar tashmë edhe vetë partnerët e koalicionit, por me gjasë po presin momentin e duhur që t'i ndajnë udhët!