Editoriali:Sundimtarët e ligjit

  • 15 April 2018 - 17:17
Editoriali:Sundimtarët e ligjit

Qeveria sërish e ndryshoi Kodin Penal, duke paralajmëruar se me miratimin e ndryshimeve do të ashpërsohet korniza ligjore që lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo nuk është hera e parë që bëhen ndryshime të tilla ligjore, që synojnë një legjislacion më efikas, por e vërteta është se problemi në dështimin e shtetit në betejën me korrupsionin nuk qëndron te niveli i legjislacionit, pavarë- sisht të metave eventuale. Thelbi i çështjes është moszbatimi i ligjeve. Pushteti i zbaton ligjet vetëm atëherë kur i konvenon, përndryshe, zakonisht pushtetarët e secilit nivel janë përmbi ligjin. Në Kosovë, flitet shumë për sundimin e ligjit, por në fakt duhet të emërtohet si sundim i politikanëve mbi ligjin. Kryeministri dje e pranoi publikisht se derisa nuk ka një vendim të plotfuqishëm gjykate, nuk do të shkarkojë asnjë anëtar të Qeverisë. Tre prej tyre tashmë përballen me aktakuza për korrupsion. Në bazë të ecurisë së lëndëve për zyrtarët e lartë, përfundimi mund të parashikohet lehtësisht. Vetëm burg nuk ka në fund. Eventualisht mund të shqiptohet ndonjë dënim me kusht nga shkalla e parë, që rrëzohet pastaj në Apel. Si rrjedhojë, "peshqit", lirohen në fund e notojnë lirshëm pa kurrfarë brenge. Kjo është drejtësia në Kosovë, ku hajnat e milionave shpëtojnë pa u hyrë "ferrë në këmbë", e dikush han burg për dhjetë euro ryshfet. Qeveria nuk mund ta luftojë korrupsionin, sepse kjo është punë e organeve gjyqësore, prokurorisë, policisë, por mund të distancohet nga veprimet e personave të inkriminuar që kanë pushtet. Mënyra se si është formuar kjo Qeveri, duke mos përjashtuar që në fillim politikanët me aktakuza, të bind se sado që të zgjatë, edhe nëse të gjithë akuzohen, prapëseprapë do të rrinë në pushtet e nuk do të japin dorëheqje. Në demokracitë e përparuara, në momentin kur një ministër akuzohet për korrupsion, ai jep menjëherë dorëheqje pa kurrfarë debati. Por, kjo është Kosova, që me tepër sheh nga Lindja e regjimeve autoritare e korruptive sesa nga Perëndimi i civilizuar. 

(Kosova Sot)