Editoriali:Raporti i turpit

  • 18 April 2018 - 17:05
Editoriali:Raporti i turpit

Zyrtari më i lartë i shtetit thotë se qytetarët janë lodhur nga raportet e Bashkimit Evropian, por e vërteta është tjetër. Njerëzit në këtë vend janë lodhur nga klani i kreut të Republikës dhe bandat e tjera të pushtetit, të cilat e kanë shtrirë sundimin në çdo sektor. Vetëm viteve të fundit, të paktën dyqind mijë kosovarë janë larguar nga Kosova, ndërsa shifrat mbahen të fshehta nga organet shtetërore. Secili që e ka një shans për të ikur nuk ngurron ta shfrytëzojë. Raporti i Progresit që hartohet nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu siç pritej, ishte ndoshta ndër më negativët deri tani. Ndër kritikat kryesore janë adresuar për sundimin e ligjit, përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe rastin e skandalit me dëbimin e dhunshëm të shtetasve turq, ku Kosova shkeli ligjet, shkeli Kushtetutën dhe Konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Në dy rastet kryesore, protagonist kryesor është presidenti aktual i Kosovës, i cili edhe pse do të duhej të përfaqësonte unitetin nacional, është duke luajtur me fatin e një populli të tërë, vetëm e vetëm që ta shpëtojë lëkurën e tij nga ndonjë aktakuzë e mundshme prej Gjykatës Speciale. Deri tani, duket se politikani në fjalë ia ka arritur qëllimit, sepse e ka zvarritur Republikën drejt një humnere të rrezikshme, që ta paraqesë pastaj veten si një shpëtimtar i sigurt. Shuplaka e Brukselit është goditje për krerët e Kosovës, të cilët nuk janë duke përfillur rend dhe ligj, por po punojnë vetëm për realizimin e interesave të tyre të ngushta, përmes rrugëve kriminale e korruptive. Shteti ynë është i vetmi që nuk ka asnjë shenjë optimizmi as në zyrat e BE-së, për rrugëtimin evropian që ka ngecur prej kohësh tashmë. Politikanët tanë po mendojnë se me fjalë e mashtrime bindet BEja që të na heqë vizat e të na hapë dyert, por kështu nuk do të ndodhë. Është moment i fundit për ta shtuar presionin publik kundër kësaj politike të dështuar!

 

(Kosova Sot)