Editoriali:Platformë për koncesione të reja ndaj Serbisë

  • 20 April 2018 - 17:18
Editoriali:Platformë për koncesione të reja ndaj Serbisë

Në rrethana krejtësisht jotransparente, Qeveria e ka miratuar një platformë për dialogun me Serbinë, ku rolin udhëheqës e ka presidenti i vendit, njeriu që e ka udhëhequr këtë proces prej fillimit, ndërsa ka nënshkruar marrëveshje me pasoja për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Kryeministri aktual dikur e kritikonte kreun e shtetit për mënyrën se si ishte duke e zhvilluar dialogun me Beogradin, por sot, përmes kësaj platforme, të cilën e konfirmoi në mbledhjen e Qeverisë, duket se është zmbrapsur. Një qeveri që ka vetëm 52 vota, pra nuk e ka shumicën në Kuvend, të procedojë një platformë për bisedimet me Serbinë, duke ia lënë timonin Hashim Thaçit, politikanit që mbahet si përgjegjësi kryesor për degradimin e Republikës, dëshmon se e ka humbur udhën në oborr. Ky veprim, në njëfarë mënyre sekret i ekzekutivit, na lë të kuptojmë se cili mund të jetë fundi i këtij procesi negociatash. Në pesëvjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, ky hap është sinjal për koncesione të reja. Duket se Haradinaj, për shkak të ambicies së tij kryeministrore, është marrë peng nga Thaçi, që po vazhdon ta luajë në prapaskenë lojën e pistë të tij. I frikësuar nga Gjykata Speciale, i rrezikuar nga humbja e pushtetit politik pas largimit nga partia, presidenti i vendit, i zgjedhur nën tymin e gazit lotsjellës dhe përleshjeve të opozitës me policinë, mund të rikthehet si protagonist së shpejti në takimet me homologun e tij serb. Por çfarë e pret Kosovën nëse opozita do të injorohet në tërë këtë proces? Edhe vetë BE-ja në Raportin e Progresit ka tërhequr vërejtjen se Qeveria nuk ka mbështetje për temat e mëdha dhe duhet një konsensus politik. Pa arritur pajtimin mes partive kryesore, pozitë e opozitë, çdo platformë si kjo e Qeverisë rrezikon të kthehet në mollë sherri dhe burim përplasjesh të reja. 

(Kosova Sot)