Editoriali: Korrupsioni na mban peng

  • 23 April 2018 - 17:06
Editoriali: Korrupsioni na mban peng

Deri para se u ratifikua Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, ka pasur një presion të jashtëzakonshëm politik nga ana e pushtetarëve, duke e ndërlidhur me liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët kosovarë. Edhe pse kriteri tjetër, lufta kundër korrupsionit mbetej më sfiduesi, marrëveshja e kontestuar për kufirin, propagandohej si pengesa e vetme për lëvizjen e lirë në hapësirën e Shëngenit. Javët po kalojnë me shpejtësi, por asnjë shenjë konkrete nuk është dhënë për liberalizimin e vizave. As dokumenti zyrtar i Komisionit Evropian, edhe pse përmend si arritje ratifikimin e Demarkacionit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk jep ndonjë koordinatë të qartë për datën e liberalizimit të vizave. Ndërsa krerët e vendit kanë rënë në një heshtje të thellë, duke u përpjekur thjesht të gjejnë justifikime të ndryshme apo të përsërisin të njëjtat premtime, se heqja e vizave do të ndodhë së shpejti. Qeveritarët japin deklarata të ndryshme dhe këtu e kupton, se në të vërtetë nuk ka asnjë informacion të saktë. Duket qartë pra se sfida kryesore, që mban peng kosovarët, është shkalla e lartë e inkriminimit të pushtetit. Korrupsion ka në të gjitha vendet e rajonit, por korrupsioni në Kosovë është aq shqetësues, sa e ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e shtetit. Me instalimin e dukurive korruptive nga partitë, e ardhmja e vendit tonë është vënë në dyshim. Me sistemin aktual të drejtësisë, shpresat janë fare të pakta se mund të ketë ndonjë ndryshim. Mafio-oligarkët kontrollojnë gjithçka, ndërsa të emëruarit e tyre në gjykata e në prokurori janë ata që "ndajnë pazarin". Shoqëria e ka humbur besimin te kjo klasë politike, prandaj duhet thënë me zë të lartë se kjo është periudha më e rëndë që po kalon vendi që nga koha e luftës. Nëse do të vazhdojë kjo keqqeverisje dhe ky degradim i skajshëm në secilën zyrë shtetërore, nuk duhet të habitemi nga një eksod masiv drejt Perëndimit.

(Kosova Sot)