Editoriali:Rreth Devollistanit, të përbashkuar

  • 26 April 2018 - 17:06
Editoriali:Rreth Devollistanit, të përbashkuar

Nuk ka rëndësi kush vjen në pushtet dhe kush mbetet në opozitë. Ajo që vlen është të mos preket burimi i përfitimeve të paligjshme, korruptive, kriminale, që mbushin gushët e politikanëve, familjarëve e miqve të tyre, klaneve përreth. Kur kryeministri aktual ishte në opozitë e akuzonte rëndë ish-kryeministrin Thaçi, sot president, për monopole në ekonomi, krim të organizuar dhe korrupsion. Pushteti, me gjasë, i shuan të gjitha ambiciet opozitare, por populli nuk mund të harrojë kaq lehtë. Trashja e rritja e monopolit të mafio-oligarkëve Devolli, të njohur për lidhjet e tyre me partitë kosovare, është edhe një tjetër goditje tepër e rëndë e kriminale për sipërmarrjet e ndershme në Kosovë. Kjo natyrisht nuk është as ekonomi e tregut, as konkurrencë e ndershme dhe as e ligjshme e as kushtetuese. Drejtësia do të duhej të vepronte në rastin e Atestimit, që pa kurrfarë shpjegimi, kundërligjshëm, i jepet sërish të njëjtës kompani që mban monopol prej një dekade në homologimin e automjeteve. Kjo që bën Qeveria jonë është zhvatje e hapur dhe krim i organizuar. Këta pushtetarë sikur duan të na thonë: Ne do t'ju rrjepim deri në palcë, e ju uleni kokën e na duroni deri në fund! Në fakt, durimit është duke i ardhur fundi. Këta sundimtarë, të cilët çdo vendim që e nxjerrin, e kalkulojnë vetëm në interesin e tyre privat e kriminal, janë bërë të padurueshëm. Njerëzit janë lodhur nga regjimet e njëpasnjëshme, shtypëse e shfrytëzuese, abuzive e të pamoralshme. Ky vend meriton më mirë, prandaj pjesa e ndershme, nëse ka mbetur fare në politikë, shoqëria, duhet të mobilizohen për t'i shporrur nga pushteti bandat politike, që po e rrënojnë Republikën e nëpërkëmbur e të izoluar. Sundimi i egër i këtyre viteve ka krijuar një pabarazi të jashtëzakonshme, e ka goditur shpresën e qytetarëve, e ka errë- suar të ardhmen. Është koha për një ndryshim radikal, një kthesë të fuqishme, për të lënë prapa qeverisjen e kriminalizuar që është në grushtin e oligarkëve. Drejtësia duhet të zgjohet dhe të veprojë sa nuk është vonë.

 

(Kosova Sot)