Editoriali: Një zhvatje e zakonshme miliardëshe

  • 27 April 2018 - 17:31
Editoriali: Një zhvatje e zakonshme miliardëshe

Përplasjet e djeshme në seancën parlamentare, ndërmjet deputetëve dhe kryeministrit, për projektin e termocentralit të ri "Kosova e Re", nxorën në pah edhe një herë dështimin e madh të Kosovës në administrimin racional dhe efikas të pasurive nëntokësore, në zvogëlimin e varësisë nga importi dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore. Donacionet miliardëshe dhe investimet qeveritare në blloqet e stërvjetëruara të KEK-ut janë një histori më vete, e cila do të duhej të hetohej nga drejtësia, po ta kishim një të tillë. Krerët e pushtetit, të të gjitha ngjyrave, janë përfituesit më të mëdhenj të këtij biznesi gjigant. Duke vënë në plan të parë interesat personale, të gjithë udhëheqësit e deritashëm nuk arritën ta shndërronin Kosovën në eksportues të energjisë, por e lanë në varësi të thellë nga importi, duke u shërbyer kështu oligarkëve të tregut energjetik shumëmiliardësh. Edhe ndërtimi i Termocentralit të ri, në kushte tejet të pafavorshme për vendin, është sërish një zgjidhje e dëmshme në kurrizin e taksapaguesve. Analizat e projektit tregojnë se çmimi i rrymës do të rritet, ndërsa vlera e projektit, edhe pse u tha se është 1.3 miliard euro, pritet të mbërrijë deri në 3 miliardë euro. Ndërkohë, abuzimet po shtohen sa u përket shpronësimeve, kurse kompanisë fituese toka do t'i jepet falas! Kosova mbetet tepër larg edhe në fushën energjetike, ku vendet e zhvilluara po shkojnë tërësisht në energjinë e pastër, ndërsa ne ende rropatemi me thëngjill, duke e rrezikuar edhe ambientin. Problemi kryesor është se çdo qeveri që ka ardhur në pushtet nuk ka shikuar asnjëherë se si të zhvillojë një program konkret energjetik, por ka vepruar pa kurrfarë strategjie, bazuar vetëm në përfitimet momentale, përmes tenderomanisë, ku janë mësuar të zhvatin shuma të jashtëzakonshme. Përfshirja e të gjitha partive në këtë skemë kriminale dhe korruptive, që e la Kosovën në terr edhe pas gati dy dekadash, e bën të pamundur zbardhjen ndonjëherë të saj. Si rrjedhojë, në fund janë qytetarët që e pësojnë, duke e paguar më shtrenjtë rrymën dhe çka është më skandaloze duke paguar edhe për veriun që nuk e kontrollon shteti ynë. 

(Kosova Sot)