Editoriali:Nuk bëhesh i pasur me rrogë shteti!

  • 17 May 2018 - 16:45
Editoriali:Nuk bëhesh i pasur me rrogë shteti!

Gjenerali amerikan në pension, miku i madh i Kosovës, Uesli Klark, gjatë qëndrimit në Kosovë përcolli disa mesazhe të forta për politikanët tanë, edhe pse për këta të fundit, nga njëri vesh hyjnë e nga tjetri dalin edhe fjalët e ishkomandantit të NATO-s, që luajti rol të rëndësishëm në ditët e bombardimeve, kur ishte në pikëpyetje mbijetesa e popullit shqiptar të Kosovës. Klark ua përkujtoi partive kosovar se qëndrimi i gjatë në pushtet e trash korrupsionin dhe e bën edhe më të vështirë rrotacionin, pasi të korruptuarit përpiqen me çdo kusht që të mbrojnë privilegjet dhe milionat e vjedhura. Rasti konkret është me PDK-në, që vazhdon të mbetet në pushtet, ndërsa ka instaluar një makineri të tërë kriminale në çdo pore të shtetit. Këtij zinxhiri korruptiv i është bashkuar edhe partia e kryeministrit, ndërsa për fat të keq, opozita jo vetëm që nuk përbën alternativë, por edhe kjo mezi prêt të ngjyejë në tortën e majme të pushtetit dhe parasë publike. Klarku, duke e sjellë përvojën e tij nga SHBA-ja, ku mbi tri dekada kishte shërbyer për shtetin, e tha qartë se nëse je në punë shteti, mund të bësh një jetë modeste, por nuk mund të blesh vilë në Monako! Zyrtarët e politikanët kosovarë bashkë me familjarët e tyre kanë pasuri milionëshe, të pajustifikueshme, ndërsa "biznesi" i vetëm i tyre ka qenë puna e shtetit. Por, falë një sistemi të drejtësisë, që kontrollohet prej mafio-oligarkëve, përkohësisht, pasuritë kriminale nuk do të preken. Sidoqoftë, atë ditë kur të vendoset drejtësia, secili do të japë llogari për çdo cent se nga e ka origjinën. Porositë e gjeneralit amerikan në pension janë domethënëse edhe në rastin e formimit të Ushtrisë, që po merret me nxitim nga ana e Qeverisë. Kosovës i duhet Ushtria, por ajo nuk mund të themelohet me një ligj të zakonshëm, ndërsa prezenca e KFOR-it ia mundëson Qeverisë që qindra- milionë të planifikuar për ushtrinë, t'i dedikojë për ekonominë. Është e kuptueshme, që pushtetarët e pangopur mezi presin, të zhvatin përmes tenderëve të shtrenjtë, edhe me rastin e transformimit të FSKsë në FAK!

 

 

(Kosova Sot)