Krimineli, modeli kosovar i "suksesit"

  • 21 May 2018 - 17:18
Krimineli, modeli kosovar i

Në seancën e javës së kaluar asnjë kandidat shqiptar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese nuk i mori votat e mjaftueshme për t'u zgjedhur, ndërsa një serb, i cili sipas vetë deputetëve kishte qenë i dënuar për krime, i mori rrafsh 71 vota dhe u emërua në Gjykatën kryesore të Republikës. Askush nuk reagoi, ndoshta sepse vëmendja u përqendrua te përplasja e dy deputetëve, që më herët ishin sharë. Sidoqoftë, ky ishte skandali i radhës në Kuvendin e Kosovës. Emërime të tilla ka në të gjitha nivelet e pushtetit. Nuk kalon një ditë pa dëgjuar se si ky kryetar zgjodhi drejtor një person të dyshuar për korrupsion apo në një ministri është zgjedhur një udhëheqës departamenti i dënuar, e kështu me radhë, lista e të inkriminuarve që vazhdojnë të shpërblehen me pozita zyrtare është tepër e gjatë. Atë bëjnë sikur nuk e shohin vetëm këta që janë në pushtet, të cilët qëllimisht janë duke mos hequr dorë nga kjo praktikë antiligjore dhe e dëmshme për institucionet. Edhe kur nuk emërohen direkt personat e inkriminuar, të dënuar apo në procese gjyqësore, të lidhur me trafiqe të ndryshme apo të zënë duke marrë mitë, në radhë vijnë miqtë apo të afërmit e tyre. Në këtë mënyrë, lidhja mes politikës dhe krimit vetëm sa forcohet gjithnjë e më shumë, ndërsa, falë një drejtësie të kapur, këtë kategori zyrtarësh nuk e prek askush. Kaq alarmante është kjo dukuri, saqë ka filluar edhe të perceptohet si model i suksesit në shoqërinë kosovare. Pra, nëse je i dështuar në sferën tënde, nëse ke bërë vepra penale, nëse ke miq apo të afërm të përzier në afera të ndryshme, atëherë ke shanse të avancohesh në këtë vend. Nuk është e rastësishme që në pikat kyçe, nëse nuk janë UDB-ashët, janë bijtë e tyre. Ky tashmë është një standard frikësues, i vendosur nga ky lidership që është në pushtet dhe i mbështetur nga kjo garniturë që është në opozitë. Dhe, derisa të jetë kështu, askush nuk shpreson se do të ketë drejtësi, barazi para ligjit, dhe meritokraci.

(Kosova Sot)