Askush nuk dëshiron të jetojë aty ku humb shpresa

  • 28 May 2018 - 17:31
Askush nuk dëshiron të jetojë aty ku humb shpresa

 Këto ditë njerëzve të këtij vendi u është bërë zemra mal kur shohin suksesin e artisteve tona në botë. Bebe Rexha, Dua Lipa, Era Istrefi janë imazhi më i mirë, por kjo është meritë e tyre individuale. Ky sukses është shumë më lehtë të arrihet në një konkurrencë të jashtëzakonshme ndërkombëtare sesa në një shtet si Kosova, ku vlerat gjithnjë e më tepër nëpërkëmben, ndërsa favorizohen antivlerat. Të rinjtë e talentuar në fusha të ndryshme mund të kenë ëndrra të mëdha, për të ardhmen e tyre, megjithatë shteti kosovar jo vetëm që nuk po krijon mundësi për ta, por po rrënon edhe ato pak që mund të jenë aktualisht. Të rritesh sot në Republikën tonë do të thotë të jesh gjithnjë nën presionin e largimit nga vendi, drejt një të ardhmeje më të mirë. Ti mund të shpresosh të jesh një ditë si Rita, Bebe apo Dua, por assesi ta mendosh një gjë të tillë në rrethanat e përkeqësuara kosovare. Sa femra të suksesshme kemi ta zëmë në Qeverinë e Kosovës?!Edhe kur bëhet ndonjë emërim diku, është mbi baza partiake, nepotike, klienteliste apo korruptive. Njësoj është në çdo sektor, për secilën pozitë. Përse janë degraduar sot ekonomia dhe arsimi, shëndetësia dhe siguria, sporti dhe kultura? Përse po falimentojnë institucionet gjoja të pavarura dhe ndërmarrjet publike? Arsyeja është botërisht e njohur, por askush nuk mërzitet në këtë garniturë politike që udhëheq shtetin e degraduar tej mase. Njerëzit e aftë, kompetentë, të shkolluar e me integritet, të dëshmuar profesionalisht, janë më të padëshiruarit për lidershipin aktual. Hidhini një sy se kush është afër krerëve të shtetit, kush është në pozita drejtuese dhe nuk ka nevojë për komente të tepërta. Prandaj, po na ikin mjekët e aftë, inxhinierët e zotë, të rinjtë e talentuar. Kuadrot e afta e gjejnë rrugën e angazhimit, por Kosovës i duhen pikërisht ata! Truri po ikën, sepse në krye të vendit janë elita më mediokre e mundshme!

(Kosova Sot)