Editoriali:Edhe sa i duron ky popull këta të pangopshëm?!

  • 30 May 2018 - 17:14
Editoriali:Edhe sa i duron ky popull këta të pangopshëm?!

Nuk është e rastësishme që një pjesë e njerëzve në këtë vend bëjnë gjithçka për të ardhur në pushtet. Janë në gjendje të shkelin çdo normë, parim, ligj, rregull, moral, vetëm e vetëm që të ulen në ndonjë kolltuk qeveritar. Pastaj nis aksioni i madh. Jo për t'ua përmirë- suar jetën qytetarëve të Kosovës, por për t'ia zhvatur buxhetin e dedikuar për ta deri në centin e fundit. Njëra nga format tradicionale të kësaj zhvatjeje është përmes udhëtimeve zyrtare. Nuk është kurrfarë sekreti se shpesh zyrtarë të ndryshëm bëjnë çmos që të realizojnë ndonjë udhëtim jashtë vendit, të paktën deri në Shqipëri, pavarësisht se nuk mund të ketë kurrfarë rëndësie apo dobie. Ajo që vlen në fund është mëditja, e që nuk është e vogël. Disa herë gjatë vitit, edhe mbërrihet synimi. Shto këtu dhe ndonjë keqpërdorim fondesh të tjera. Dhjetëra- mijëra zyrtarë e bëjnë të njëjtën gjë. Askush nuk i ndal. Përkundrazi, krerët e institucioneve, në vend që të inkurajojnë një disiplinë në udhëtimet zyrtare, i motivojnë stafin që të mos ndalen. Pastaj vijnë edhe familjarët. Kryeparlamentari me bashkëshorten, zëvendëskryeministri gjithashtu…Mos të flasim për stafin tjetër përcjellës, me dhjetëra. Të gjitha shpenzimet e tyre janë nga paratë e taksapaguesve kosovarë. Kryeministri dje u shfaq gjoja nervoz me këto shpenzime të panevojshme në rritje dhe kërkoi që t'i jepnin llogari ministrat për udhëtimet e tyre. Po ta kishte seriozisht, së pari do t'u kërkonte llogari anëtarëve të Qeverisë që shpenzojnë kot së koti. Së dyti, do ta shfuqizonte Rregulloren e UNMIK-ut, e cila është e panevojshme. Por, ky kryeministër që e mbipopulloi ekzekutivin me zv.ministra, e tash po i shton radhët edhe me koordinatorë, e ka humbur rrugën në oborr!

 

(Kosova Sot)