Editoriali:Arroganca e pushtetit do ta zbrazë Kosovën

  • 01 June 2018 - 16:47
Editoriali:Arroganca e pushtetit do ta zbrazë Kosovën

Kryetari i Kuvendit dje doli me një afat konkret për liberalizimin e shumëpritur të vizave, duke mos harruar të theksojë se kjo mundësi për të lëvizur lirshëm në hapësirën e Shëngenit nuk duhet të shfrytëzohet për të kërkuar azil. Por, e vërteta është se shumica e atyre që kanë nevojë të lëvizin të lirë një shans të tillë po e presin me padurim, pikërisht për të emigruar! Këtë fakt e di dhe Brukseli, e dinë anëtarët e Bashkimit Evropian, prandaj as dhjetori nuk mund të rezultojë i saktë në parashikimet e autoriteteve kosovare. Emigrimi i kosovarëve drejt BE-së po vjen duke u shtuar kohët e fundit për shkak të përkeqësimit të kushteve për jetesë në Kosovë nën sundimin e gjatë të politikanëve të njëjtë. Shumë kompani sot e kanë të vështirë të gjejnë punëtorë, sepse ata kanë ikur dhe janë duke punuar në Gjermani, Itali dhe vende të tjera të BE-së, ku kushtet janë dukshëm më të mira në të gjitha aspektet. Nëse ky fluks largimesh vazhdon me këtë ritëm, brenda pak vitesh, Kosova, që mburret sot për fuqinë e re punëtore, do të përballet me krizë të krahut të punës. Natyrisht që analiza të tilla ekonomike nuk i bëjnë "ekspertët", "koordinatorët" e Qeverisë, por ky është realiteti. Heqja e vizave do t'ua hapë portat mijëra të rinjve, që në mundësinë e parë do ta nxjerrin një biletë një- drejtimëshe, për të mos u kthyer të paktën për një kohë në Kosovë. Pushteti, për më keq, as që po reflekton fare ndaj kësaj situate kaq të rëndë, por po vazhdon të tregohet arrogant në secilin vendim që merr. Ja për shembull rasti i veteranëve të luftës, ku qeveria pa kurrfarë argumentimi ua ndan organizatave të veteranëve 300 mijë euro për pushime verore. Nëse këto mjete vërtet do të shkonin për ata që kanë nevojë, askush nuk ka pse të kundërshtojë, por kur menaxhimin e tyre e bëjnë pikërisht ata që i frynë listat e veteranëve kundërligjshëm, atëherë kuptohet se si do t'i bëjnë rrush e kumbulla edhe këto mjete të taksapaguesve kosovarë!

 

 

(Kosova Sot)