Pabarazi e frikshme në Kosovë

  • 18 June 2018 - 17:09
Pabarazi e frikshme në Kosovë
Mënyra se si administrohet buxheti i taksapaguesve kosovarë dhe resurset publike në përgjithësi është tepër shqetësuese për stabilitetin e vendit. Të gjitha qeveritë e deritashme, në vend që të jenë të kujdesshme në shpërndarjen e fondeve, trajtimin e nevojave, përkujdesjen ndaj kategorive të ndryshme shoqërore, prioritetin numër një e kanë pasur luksin e tyre. Këtë traditë negative është duke e vazhduar me besnikëri edhe ekzekutivi aktual, një superkabinet i mbipopulluar me militantë të shumë partive, të cilët kanë marrë pozicione të larta shtetërore, por në fakt nuk bëjnë asgjë, përveç ngarkesës financiare që ia shkaktojnë buxhetit. Fakti që pas dyfishimit të pagave nga qeveritarët Kosova renditet e dyta, pas Sllovenisë, sa u përket rrogave të zyrtarëve të lartë, është shumë domethënës për lidershipin tonë. Edhe pse jemi vendi më i varfër dhe më i pazhvilluar i6 rajonit, i paguajmë gati më së shtrenjti udhëheqësit, ani pse nën menaxhimin e tyre shteti është shitur në papunësi, varfëri, korrupsion, nepotizëm e klientelizëm. Në saje të këtyre politikave të dëmshme, Kosova ka hyrë në një fazë të rrezikshme për shoqërinë, pasi shumica mezi janë duke përballuar jetesën deri në fund të muajit, në pritje të rrogës modeste, ndërsa një pakicë që janë në pushtet, të lidhur me të dhe në shërbim të oligarkëve, bëjnë jetë luksi, aspak normale për standardin e një vendi si Kosova. Kjo pabarazi e thelluar sociale është sinjal kërcënues për perspektivën e Republikës. Pushteti vazhdon të shihet si një mundësi zhvatjeje e pasurimi, por assesi zhvillimi. Kosova, nëse vazhdon të durojë sundimin oligarkik dhe korruptiv, do ta ketë të vështirë të ndërtojë një demokraci stabile dhe shtetin e së drejtës. Jo rastësisht, Qeveria ua rriti pagat edhe gjyqtarëve e prokurorëve. Duke i blerë sërish ata, më lehtë edhe do t'i mbajë në shërbim të mafio-politikës. Kjo është e rëndë për shtetin tonë, prandaj nevojitet një zgjim kombëtar e qytetar, për të dalë nga ky rreth vicioz, ku po vërtitemi, pa shpresë dhe pa rrugëdalje.