Editoriali: A do ta ndalë BE-ja këtë babëzi qeveritare?!

  • 22 June 2018 - 17:05
Editoriali: A do ta ndalë BE-ja këtë babëzi qeveritare?!
 Përmasat e vendimit skandaloz të Qeverisë, që ia dyfishoi pagat vetes në rrethanat e një varfërie, korrupsioni dhe papunësie rekord, e kanë detyruar edhe Bashkimin Evropian të reagojë, përmes përfaqësueses Apostolova në Prishtinë. Turpi i këtij pushteti, si duket, nuk ka limite! Qeveritarët janë të vendosur që t'i shkojnë deri në fund marrëzisë dhe zhvatjes që po i bëjnë buxhetit e pasurisë publike. Pangopësinë e tyre pushtetarët e sotëm e treguan me ngarendjen për t'ia dyfishuar vetes pagat, duke injoruar popullsinë e varfër, armatën e të papunëve, mijëra familje në asistencë sociale, e plot kategori të tjera, që mezi ia dalin me pak të ardhura, për ta përballuar jetesën e shtrenjtuar. Skandali me pagat, që tërhoqi edhe vëmendjen e Brukselit, e ilustron më së miri se çfarë niveli udhëheqësish po e drejtojnë Kosovën. Është e vërtetë që paga e kryeministrit është shumë më poshtë se plot paga drejtuesish publikë, në sektorë, agjenci, kompani, borde etj., por kjo nuk është arsye që t'ia dyfishosh vetes pagën. Këtë mund ta bësh në një kompani private, ku rregullat i përcakton vetë pronari, sipas interesave, por kur bëhet fjalë për shtetin, duhet të shihen edhe parametrat e tjerë. Nuk mundet vendi më i varfër i rajonit dhe i Evropës ta ketë kryeministrin ndër më të paguarit. Institucionet duhet ta nxjerrin Ligjin për pagat në sektorin publik dhe të rregullojnë sipas rëndësisë, sferës profesionale, secilën pagë shtetërore. Ky është hapi që duhet ta ndërmarrë Qeveria. Nga ana tjetër, para se t'ia dyfishojnë rrogën vetes, këta të pangopur, duhet ta nxjerrin një ligj për qeverinë, kur të saktësohet edhe çështja e nivelit të rrogave qeveritare. Por, këta politikanë të papërmirësueshëm qëllimisht e keqpërdorin këtë zbrazëti ligjore, që të përfitojnë sa më tepër për vete. Kjo është vërtet e patolerueshme, e turpshme, dhe tregon fytyrën e vërtetë të pushtetit monstruoz në Kosovë.