Alarmi i Delavisë

  • 23 June 2018 - 18:45
Alarmi i Delavisë
Ambasadori amerikan sërish ka alarmuar gjatë një diskutimi, për politizimin dhe korrupsionin e thellë në sistemin e drejtësisë kosovare. Ai e potencoi sërish se duhet kohë për ta dekriminalizuar vendin dhe për ta larguar ndikimin politik nga prokuroritë dhe gjykatat. Është pikërisht politizimi i skajshëm që mban peng luftën kundër krimit të organizuar në Kosovë dhe i lë të lirë të ashtuquajturit "peshq të mëdhenj". Për fat të keq, Kosova po kalon një periudhë të vështirë, pasi kameleonët e politikës kosovare janë bërë bashkë, për të shuar përkohësisht shpresat e shoqërisë, për një pastrim të institucioneve nga elementët kriminalë. Të tillë ka gjithandej, nga niveli lokal e deri tek ai qendror, në kompani publike e agjenci të pavarura, në shërbimin diplomatik e në jetën politike, në Kuvend apo ekzekutiv. Gjithnjë ka qenë kështu në vendin tonë dhe për sa kohë lidershipi i partive nuk distancohet prej kësaj kategorie infektuese për stabilitetin shtetëror, nuk ka gjasa të ndahet e mira nga e keqja. Shembuj kryetarësh të komunave, qeveritarësh, zyrtarësh të lartë, të dyshuar, të hetuar apo edhe të dënuar, të cilët nuk i lëshojnë kurrsesi pozitat, pavarësisht së kaluarës së tyre, shkeljeve që kanë bërë, ka sa të duash. Udhëheqësit e subjekteve, prej nga kanë dalë figurat kriminale, jo vetëm që nuk i kanë dënuar asnjëherë bashkë- partiakët e tyre, por përkundrazi, i kanë favorizuar, i kanë shpërblyer me poste, i kanë inkurajuar të vazhdojnë kriminalizimin e jetës institucionale, publike, shoqërore në Kosovë. Sistemi i drejtësisë është treguar i pafuqishëm për të zbatuar ligjin dhe për të treguar se para ligjit secili do të japë llogari. Në fakt, e kanë pësuar vetëm qytetarët e zakonshëm, ata që nuk kanë krah politik, nuk janë pjesë e klaneve apo klientelave të oligarkëve. Kriminalizimi i drejtësisë në veçanti dhe i Republikës në përgjithësi na mban peng të gjithëve dhe Kuvendi, nëse do të kishte guxim dhe vendosmëri, as që do të kishte vonuar Ligjin antimafia, Ligjin për dekriminalizimin dhe Ligjin për lustracionin. Nëse duam të ndërtojmë shtet demokratik dhe të së drejtës, me banda nuk e bëjmë dot. Reformimi i drejtësisë është i domosdoshëm, edhe nëse duam të krijojmë një ambient më të mirë për biznes. Kosova nuk do të arrijë të tërheqë kurrë investitorë seriozë, për sa kohë gjykatat dhe prokuroritë tona janë në këtë nivel skandaloz. Besimi në sistemin e drejtësisë është thuajse zero, sepse barazia para ligjit, që është garanci kushtetuese, nuk përfillet asnjëherë. 

(Kosova Sot)