Emocionet e një kampionati

  • 12 July 2018 - 17:01
Emocionet e një kampionati
Kosovarët, si edhe gjithë pjesa tjetër e botës, janë të zënë me emocionet që sjell kampionati botëror në Rusi dhe i cili përmbyllet kësaj jave me përcaktimin e fituesit. Emocionet e shqiptarëve në këtë kampionat i ndezën djelmoshat me prejardhje nga Kosova, Xhaka, Shaqiri e Behrami në ndeshjen Zvicër-Serbi, që nuk shikohej thjesht si një ndeshje futbolli, por si një përballje mes Kosovës e Serbisë. Së paku për shqiptarët kudo që janë kështu u kuptua kjo atmosferë ndezëse. Humbja e Zvicrës me Suedinë i veniti shpresat e shqiptarëve që e dëshironin këtë vend në finale, jo vetëm për atë se vendi helvetik u bë strehë e shumë shqiptarëve, të cilët si babai i Xhakës apo i Shaqirit u larguan atje për shkak të përndjekjes, por për atë se shumë lojtarë me gjak shqiptari po e mbajnë gjallë ekipin zviceran. Shqiptarët sigurisht se ndjehen krenarë për të arriturat e këtyre lojtarëve të famshëm, por duhet ta kemi të qartë se ata, edhe pse me prejardhje nga Kosova, janë produkt zviceran. Njëjtë si Rita Ora e famshme apo Dua Lipa, që janë produkt britanik. Është e mrekullueshme që këta djelmosha e këto vajza na bëjnë krenarë me spektaklet që dhurojnë, por aq më mirë është se ata dhe ato, kurdo që gjejnë rast, e shfaqin origjinën e tyre nga Kosova. Dhe, kjo na bënë shumëfish më emocionues. Ajo çka mbetet nga ky kampionat i futbollit që do të komentohet më gjatë nga shqiptarët, janë festimet me shqiponjë të Xhakës e Shaqirit që i ndezën gjakrat e gjithë shqiptarëve dhe tregoi edhe njëherë fytyrën e Serbisë, e cila edhe në një ndeshje si kjo e futbollit nuk la rast pa shfaqur urrejtjen kundër shqiptarëve. Sidoqoftë, kampionati i futbollit është në prag të përfundimit, por ajo që duhet të brengosë politikën shqiptare dhe federatat e Futbollit, andej e këndej kufirit, është se si nuk patën forcë që të ndërtojnë ekipet tona që të ishim konkurrente të luajmë në këtë kampionat. Na gëzoi mjaft paraqitja brilante e Xhakës, Shaqirit dhe të tjerëve, por po të luante Kosova në këtë kampionat do të kishte një imazh tjetër për shqiptarët dhe Kosovën që nuk gjendet kushedi sa lehtë në hartën botërore. Nëse s'mund të kemi politikanë të mirë, atëherë të ndërtojmë futbollistë e sportistë të mirë si xhudistja Majlinda Kelmendi. Në sport nuk hyhet me nepotizëm si në administratë. 

(Kosova Sot)