Editoriali:Mllefi i qytetarëve po shpërthen

  • 13 July 2018 - 17:13
Editoriali:Mllefi i qytetarëve po shpërthen

Protestat e njëpasnjëshme në Kosovë po e manifestojnë pakënaqësinë në rritje të qytetarëve ndaj kësaj klase politike në pushtet, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal, dhe janë paralajmëruar edhe një mori protestash të tjera. Mllefi i qytetarëve po rritet dhe atyre nuk u ka mbetur gjë tjetër përveç të protestojnë ose të largohen nga vendi. Në këto protesta, qytetarët e mllefosur nuk kursejnë edhe fjalë të rënda ndaj qeveritarëve, si ajo që ndodhi të enjten në protestën e zjarrfikësve përpara Qeverisë, ku njëri nga zjarrfikësit protestues e quajti kryeministrin e vendit "hajn". Kryeministrit Haradinaj i ka rënë të dëgjojë këtë fjalë në një tubim protestues para hundëve të tij, por sa e saj shprehje të tilla ai nuk është në gjendje t'i dëgjojë. Fundja nuk i dëgjon qytetarët. Pushtetarët si duket i kanë shkëputur kontaktet me qytetarët, sepse i takojnë vetëm në kohë fushatash, por asnjëherë deri më sot nuk është parë akumulim aq i madh i pakënaqësisë së kosovarëve, të cilët e shajnë me jo pak arsye qeverinë e tyre. Në syrin e qytetarëve hallexhinj, këta pushtetarë nuk janë gjë tjetër vetëm hajna, zhvatës të buxhetit të taksapaguesve, shpërdorues të tenderëve etj. Natyrisht se jo të gjithë qeveritarët dhe punonjësit e administratës mund të futen në një thes, ka edhe të atillë që kryejnë punën me ndershmëri. Një popull që ka dalë nga lufta dhe ka pritur me entuziazëm të madh pavarësinë po zhgënjehet aq shumë ndaj këtyre politikanëve të të gjitha ngjyrave, saqë nuk po sheh rrugë tjetër pos largimit. Ikin studentët që marrin diploma në xhep, ngase nuk mund të punësohen në punë publike, pasi vendin e tyre e zënë familjarët e politikanëve, ikin edhe njerëzit e kualifikuar e të pakualifikuar, sepse e shohin se me këta politikanë, qofshin në pushtet apo opozitë, nuk ka perspektivë. Ikin të gjithë ata që mund të ikin dhe që mund të gjejnë një vend pune në Evropë apo gjetiu. Nuk është fare çudi që kosovarët janë më të pakënaqurit në Ballkan, sipas një sondazhi që është publikuar këto ditë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, në kuadër të Barometrit të Opinionit Publik në vendet e Ballkanit. Kosovarët prijnë të parët, me 48%, me përcaktimin e tyre pro ikjes nga Kosova kurdo që u jepet mundësia dhe kjo është tejet shqetësuese. Atyre që nuk mund të ikin s'u mbetet gjë tjetër pos të protestojnë e të shajnë pushtetarët e tyre. 

 

 

(Kosova Sot)