Arnimi i ligjeve nuk lufton korrupsionin

  • 14 July 2018 - 17:11
Arnimi i ligjeve nuk lufton korrupsionin
Fjala "vetting' përmendet herë pas here në Kuvendin e Kosovës, sa për ta mjegulluar edhe më shumë gjendjen që mbretëron në Kosovë, sepse askush nga partitë politikë, qofshin pozitë apo opozitë, nuk kanë ndërmarrë ndonjë nismë për ta bërë ligjin e vetting-ut. Kështu siç po shihen gjërat, nuk duket që askush të ketë vullnet që ta pastrojë drejtësinë nga të korruptuarit, sepse kjo drejtësi i mban në pushtet këta politikanë me mosveprimet e saj. Kësaj politike po i mjafton me do arnime të ligjeve, siç ndodhi të premten me Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë që u paraqit në Kuvend. Sipas këtij ligji, pasuria e një të inkriminuari mund të hetohet për një periudhë 10- vjeçare nga momenti kur ngritët aktakuza, kurse ne të gjithë e dimë me saktësi, se abuzimet më të mëdha të parave të qytetarëve janë bërë gjatë dhe pas lufte me dy fondet' Vendlindja Thërret' dhe fond i '3 përqindëshit'. Baza e korrupsionit, që i bëri shumë pushtetarë të sotëm apo të djeshëm, nis me abuzimet e këtyre fondeve. Nëse drejtësia nuk do të merrej në zanafillë të problemit, atëherë nuk do të ketë kurrë drejtësi për ata që avulluan milionat e qytetarëve dhe trashën xhepat e tyre. Politikanët e kësaj skene politike janë mësuar që të mos bëjnë gjë kur bëhet fjalë për dekriminalizimin e politikës apo të drejtësisë, sepse po të kishte një drejtësi të pavarur, të guximshme e profesionale, këta politikanë nuk do të mund të vidhnin paratë e qytetarëve. Sot, Kosova ka nevojë të menjëhershme bërjen e një reforme të thellë në drejtësi dhe në kuadër të kësaj pakoje të reformave të bëhej edhe Ligji i vetting-ut. Kosova ka nevojë, më shumë se kurrë për presionin e madh të ndërkombëtarëve, sidomos të amerikanëve që të detyrojnë këta politikanë të bëjnë ligje në fushën e drejtësisë, në mënyrë që të hapet rruga e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Me pushtetarë të korruptuar e të kriminalizuar nuk hiqen vizat e për më keq do të jetë rrugë e gjatë derisa të hapen negociatat me Bashkimin Evropian për integrimin e Kosovës në këtë familje. Vetëm ndërkombëtarët e qytetarët mund të detyrojnë politikanët të veprojnë në favor të vendit të tyre.

(Kosova Sot)