Editoriali: Baca meritoi më shumë, turpi u mbetet politikanëve

  • 28 July 2018 - 17:10
Editoriali: Baca meritoi më shumë, turpi u mbetet politikanëve

Ndarja nga jeta e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, është një humbje shumë e madhe për Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar. Atëherë kur njerëzit as nuk guxonin të mendonin, Baca nuk frikësohej t'i thoshte hapur idetë e tij, edhe pse pasojat ishin të rënda. 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë mund t'i sfidonte vetëm një personalitet si ai. Po aq sa qe i sinqertë, ishte edhe i guximshëm. Adem Demaçi ishte një luftëtar i paepur për të drejtat e njeriut dhe e mbrojti kombin e tij në çdo moment të jetës. Mandela i Kosovës është një shembull historik se si duhet të mbrohet një kauzë e rëndësishme. Ai jetoi 82 vjet, por në asnjë periudhë, qëndrimet e tij nuk u luhatën. I tillë mbeti para lufte e pas lufte. Përderisa populli e ka çmuar dhe do ta çmojë përjetësisht, politika hipokrite u mundua ta lërë gjithnjë në hije. Demaçi ishte i drejtpërdrejtë, realist dhe kritik ndaj secilit politikan që gabonte. Kritikat dhe paralajmërimet e tij për keqqeverisjen në Kosovë dhe rreziqet që po i kanosen shtetit, sidomos sot, nuk iu pëlqyen politikanëve tanë. Është e turpshme, që një figurë e tillë, të shkojë nga kjo jetë pa e pasur asnjërin nga pozitat kryesore të Republikës. Kush më shumë se Adem Demaçi e ka merituar të jetë President, Kryeparlamentar apo edhe Kryeministër i Kosovës? Të gjitha partitë ia kishin drojën nëse do t'i jepnin pushtet atij, sepse do të ishte pengesë për plot të këqija që ia bënë këto subjekte shtetit dhe popullit. Sot, njerëzit e gjykojnë Demaçin për qëndrimet e tij, deklaratat, idetë, por harrojnë një gjë: Mbi gjithçka, ai e deshi dhe sakrifikoi për kombin shqiptar. Vepra dhe jeta e tij do të mbesin burim frymëzimi dhe motivim për brezat që vijnë, se si duhet të luftojmë për lirinë dhe të drejtat njerëzore, pa u përkulur dhe pa u dorëzuar. 

(Kosova Sot)