Editoriali: Gllabërojnë miliona, s'e hapin kurrë gojën!

  • 03 August 2018 - 16:54
Editoriali: Gllabërojnë miliona, s'e hapin kurrë gojën!
 Miliona euro nga paratë e taksapaguesve kosovarë përfundojnë në kontot e përfaqësuesve të sovranit, por shumica e tyre as që mërziten për hallet e qytetarëve, pa votën e të cilëve Kuvendin do ta kishin parë vetëm në televizor. Si asnjëherë më parë, kjo legjislaturë ka dëshmuar se është krejtësisht jomeritore dhe do të duhej sa më parë të shpërndahej, për t'i dhënë mundësinë popullit të zgjedhë përfaqësues më të denjë. Më shumë se 7 milionë euro janë shpenzimet që nga buxheti i shtetit shkojnë për pagat e mëditjet e deputetëve, por më shumë se gjysma e deputetëve nuk kanë marrë mundin që gjatë 2018-s të shtrojnë të paktën një pyetje parlamentare. Sipas monitorimit nga shoqëria civile, 59 deputetë kanë pasur pyetje parlamentare, derisa 61 prej tyre nuk e kanë ngarkuar veten me një gjë të tillë. Sesioni pranveror i Kuvendit ka qenë i paorganizuar, me mungesë të kuorumit, me mospjesëmarrje në votim, duke bllokuar kështu kalimin e shumë ligjeve. Skandaloz është fakti se gjatë këtij viti Kuvendi arriti të realizonte vetëm 22 për qind të agjendës. Kjo ia shton turpin kësaj garniture përfaqë- suese, që prioritetin e vetëm e ka si të përfitojë, por jo edhe të adresojë shqetësimet e shumta të njerëzve. Nga ana tjetër, Kuvendi nuk ka arritur të ushtrojë rolin kryesor që e ka në mbikëqyrjen e ekzekutivit. Qeveritarët zakonisht e kanë injoruar Kuvendin në seancat parlamentare. Shpesh deputetët vetëm i kanë lexuar pyetjet e tyre, por nuk ka pasur kush t'u japë përgjigje. Edhe në rastet kur ministrat ose kryeministri kanë qenë të pranishëm, përgjigjja e shpeshtë e tyre ka qenë se nuk kanë informacione. Deputetët gjithashtu dështuan edhe në trajtimin e temave të rëndësishme, sidomos në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit. Duket se ka një pajtim të heshtur të partive, për shkak të interesave kriminale, për të mos folur kurrë për çështje si monopolet, VETTING-u, dëmet e luftës etj.