Editoriali:Një treshe e rrezikshme për shtetin

  • 14 August 2018 - 16:56
Editoriali:Një treshe e rrezikshme për shtetin

Gjermania është shprehur kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, por një qëndrim i tillë, i shprehur përmes kancelares Angela Merkel, duket se nuk i bën përshtypje presidentit të Kosovës, i cili sikur e ka bërë fakt të kryer bashkimin me Luginën e Preshevës. Nga ana tjetër, planet djallëzorë të Hashim Thaçit po konfirmohen edhe publikisht përmes marionetave të tij, me të cilët po rrezitet në plazhet e Shqipërisë. Fotoja me zëvendëskryeministrin Pacolli, i njohur për lidhjet e tij me Rusinë dhe Serbinë, në shoqëri edhe të një mercenari të njohur të medieve, është ilustrim i rrezikshëm që po i kanoset Republikës nga kjo treshe që kanë shumë pushtet, para edhe ndikim aktualisht. Opozita kosovare, edhe pse është kohë pushimesh, duhet të zgjohet nga gjumi. Nga gjumi duhet të zgjohet edhe shoqëria jonë, sepse nëse reagimi do të jetë i zbehtë, atëherë pasojat do t'i vuajnë gjenerata të tëra. Kosova ka bërë kompromise me Pakon 'Ahtisari' dhe me shpalljen e pavarësisë, ndërsa tash për shkak të një lidershipi të korruptuar, të inkriminuar e të shantazhuar, duhet sërish të hyjë në pazare të reja, të dëmshme për shtetin. Zgjidhja më e mirë është largimi nga pushteti i kësaj kaste të degraduar, me të cilën Kosova nuk do të shohë me gjasë kurrë ditë të mira. Si mund t'i besohet sot Hashim Thaçit dhe kopesë që e ndjek e të mos i zihet besë kancelares gjermane, diplomatëve të shquar, analistëve me renome që paralajmëron periudhë tepër të rëndë, nëse hapet çështja e kufijve. Si duket, kaq ngushtë e ka punën ky presidenti kosovar, saqë është i gatshëm të nxisë trazira e konflikte, vetëm e vetëm që t'ia zgjasë jetën vetes në pushtet. Kjo është e patolerueshme dhe populli ynë nuk duhet të tregohet edhe më tej i durueshëm, por të ngritët në këmbë kundër sunduesve dhe shërbëtorëve të tyre. 

 

(Kosova Sot)