Editoriali:Edhe një ditë e trishtë nën sundimin mafioz

  • 16 August 2018 - 17:16
Editoriali:Edhe një ditë e trishtë nën sundimin mafioz

Pas publikimit të skandalit me listat e veteranëve të luftës, ku dyshimet përfshijnë edhe plot emra komandantësh, që sot janë pushtetarë të lartë, ka pasur një skepticizëm nëse drejtësia do të ishte në gjendje të nxirrte në bankën e të akuzuarve përgjegjësit e aferës. Prokuroria Speciale ka dhënë fare pak informata për ecurinë e këtij rasti, por pritjet e qytetarëve për zbardhjen e këtij megaskandali tashmë janë zhvlerësuar pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj. Prokurori special, që trajtonte edhe raste të terrorizmit, ku ishin përzier edhe imamët kosovarë, ka dhënë dorëheqje, pasi sipas njoftimeve të deritashme, është ndier i kërcënuar bashkë me familjen e tij. Ky akt dëshmon për gjendjen e mjerë të shtetit tonë të sistemit të drejtësisë dhe konfirmon atë që e theksojmë përditë, se mafio- oligarkia dhe nëntoka kriminale dirigjon jetën në Kosovë. Shteti ka dështuar që t'ia ofrojë mbrojtjen e nevojshme prokurorit të dorëhequr, duke dërguar kështu një mesazh jashtëzakonisht negative edhe për kolegët e tij. Me pak fjalë, porosia që del nga lënia në vetmi e prokurorit Blakaj është "mos prekni aty ku nuk duhet!". Sot, do të duhej që krerët e sistemit, bashkë më ministrin përkatës të Drejtësisë, të paraqesin dorëheqje e t'u lënë vendin atyre që janë të dijshëm, të guximshëm e që nuk u nënshtrohen pushtetarëve të korruptuar. Është e kotë të flasim për sundim ligji, për sa kohë që mafio-oligarkët e pushtetit dhe biznesit, të medieve dhe OJQ-ve vasale të pushtetit, nuk ballafaqohen me drejtësinë. Pushteti ka krijuar një infrastrukturë të tërë kriminale dhe është në gjendje të manipulojë publikun e të parandalojë çdokënd që u del përpara apo tenton t'ua cenojë komoditetin e privilegjet. Dorëheqja e Blakajt është apel për të reaguar kundër krimit e korrupsionit, kundër sunduesve të shtetit, që frikësojnë e shantazhojnë këdo që u del përpara. Ambasadori amerikan tha se kjo është një ditë e trishtueshme, por në fakt, kjo është vetëm një nga mijëra ditët e trishta nën këtë sundim mafioz. 

 

(Kosova Sot)