Editoriali:Të pangopshmit që sundojnë Republikën

  • 17 August 2018 - 17:08
Editoriali:Të pangopshmit që sundojnë Republikën

Mijëra familje në Kosovë sot jetojnë me më pak se një euro në ditë. Ato nuk përmbushin as nevojat më elementare, nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, rroba, strehim, etj. Dhjetëra- mijëra kosovarë mezi presin të liberalizohen vizat, që t'ia mësyjnë Perëndimit në kërkim të një jete më të mirë, të një pune, të dinjitetit njerëzor që është shkelur nga pushtetarët, me siguri, më të egrit në Evropë. E, ndërsa sofrat e shumë njerëzve të stërvuajtur në këtë vend nuk mbushen kurrë, tryezat e oligarkëve rëndohen nga ushqimet e zgjedhura e pijet e shtrenjta. Publikimi i disa faturave të zyrës së kryeministrit, në kohën kur kreu i Qeverisë ishte presidenti aktual, hedh dritë mbi abuzimet skandaloze që janë bërë, duke ngrënë e duke pirë në kurriz të taksapaguesve. Një aksion simbolik i shoqërisë civile, duke i dërguar verëra vendore presidentit, përcjell mesazhin e zemërimit popullor ndaj këtij pushteti të pangopur. Me paratë e buxhetit, qeveritarë, komunarë e gjithfarë soji tjetër që paguhet me rroga shteti, shpërdorojnë nga të gjitha anët. Deri dje kanë pirë çaj rusi, e sot shërbehen me verëra që kushtojnë qindra euro! Këtu dëmi financiar nuk është aq i madh, sa është i ulët gjesti i tyre. Çfarë mund të prêsin qytetarët e uritur, nga një garniturë e tillë që nuk ka të ndalur në shpërdorimet që bën, qoftë edhe në një drekë apo darkë?! Kjo kastë e urryer politike jo vetëm që nuk mendon kurrë për mirëqenien e popullit, por është e gatshme t'ua marrë nga goja edhe atë kafshatë që e kanë. Pushteti te ne konsiderohet luks, burim përfitimesh, privilegj, por assesi detyrë ligjore e kushtetuese, mision nacional e shoqëror. Është fatkeqësi çfarë sundimtarësh po e udhëheqin Republikën, sepse për sa kohë të jenë këta në pushtet, do të bëhen gjithnjë e më të pangopshëm e të egër. Prandaj, sa më parë bien nga froni, aq më shpejt do të marrë frymë lirshëm ky shtet i stërmunduar.

 

(Kosova Sot)