Editoriali:Aktakuzë në PTK

  • 19 August 2018 - 16:08
Editoriali:Aktakuzë në PTK

Pas një periudhë të gjatë skandalesh, abuzimesh, keqpërdorimesh, në ish- kompaninë më fitimprurëse publike në vend, Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë ndaj disa ish-krerëve të menaxhmentit të PTK-së, që lidhet me kontratën e dëmshme me "Z-Mobile", që është në pronësi të oligarkëve Devolli, të afërt me pushtetin. Publikimi i këtij lajmi ka ardhur menjëherë, si duket me njëfarë nxitimi, pas lajmit tjetër të bujshëm të dorëheqjes së prokurorit të Speciales, Elez Blakaj, që po hetonte aferën e listave të veteranëve të luftës, ku duket se janë përfshirë edhe figura të njohura politike. Krimi që ka ndodhur në PTK ka përmasa frikësuese dhe është një sfidë e vështirë për çdo prokuror, edhe pse është detyrë ligjore e këtyre të fundit, që të nxjerrin në bankën e të akuzuarve të gjithë ata që e kanë dëmtuar këtë kompani publike gjatë shumë vjetëve. Por, nga ana tjetër, do të jetë e pamjaftueshme nëse një aktakuzë ngarkon vetëm disa menaxherë apo ish-menaxherë, duke lënë të paprekur urdhërdhënësit e tyre dhe "biznesmenët" korruptues që kanë përfituar e po përfitojnë kriminalisht qindra miliona euro nga ky aset publik, duke zhvatur pronën e shtetit. Drejtësia duhet t'i shkojë deri në fund rastit të PTKsë, pa u ndikuar nga politika apo biznesi i kriminalizuar. Zakonisht, organi i akuzës gjithnjë ka përzgjedhur disa "koka turku", për t'i akuzuar, ndërsa i ka amnistuar shumicën, përfshirë edhe personat me pushtet që kanë ushtruar ndikim në aranzhimin e tenderëve apo kontratave të majme e kriminale. Ky është moment, kur duhet të hapet plotësisht "Kutia e Pandorës" për Postë- Telekomin e Kosovës, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku përfunduan miliarda euro, në xhepat e kontot e te cilave kompani dhe pushtetarë?! Publiku ka të drejtë të dijë se pse u nënshkruan qëllimisht kontratat e dëmshme e kriminale që e sollën kompaninë, që dikur i jepte buxhetit qindra milionë, në gjendje që të kërkojë para për pagat e punëtorëve?! Nëse aktakuzat nuk japin argumente në këto pyetje, atëherë edhe ky do të jetë një rast sa për t'u hedhur hi syve të njerëzve e asgjë më shumë.

 

(Kosova Sot)