Editoriali: McCain, veterani që nuk e patëm!

  • 27 August 2018 - 17:19
Editoriali: McCain, veterani që nuk e patëm!

Senatori amerikan John McCain, ishte një veteran i vërtetë dhe një politikan me parime, që nuk ngurroi t'i kundërvihej edhe Presidentit që doli nga partia e tij, kur ky i fundit fliste marrëzira. Personaliteti i McCain-it, është profili politik që do t'i duhej Kosovës, ku në emër të luftës, disa komandantë u shndërruan në rrezikun më të madh që sot i kanoset shtetit. Ndarja nga jeta e Senatorit, që ishte mbështetës i aspiratave të popullit tonë, është një humbje edhe për ne, në këto kohë kur miqtë me ndikim janë rralluar kaq shumë, për shkak të degradimit që po ndodh në Republikën tonë. Një veteran si McCain, ishte shembull i mbrojtjes së interesit nacional, por çfarë shembulli japin veteranët tanë që udhëheqin sot vendin?! Njëri tenton ta ndajë, tjetri e zhvat pandalshëm, të tjerët e kanë shndërruar në industri fitimprurëse "veteranizimin". "Veteranët" tanë derdhën ca lot krokodili për vdekjen e McCain-it, siç bëjnë në raste të tilla. Ata janë të paturpshëm e të papërgjegjshëm, sepse në fakt e urrejnë një model të tillë të luftëtarit që kur i hyn politikës, e bën me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim një gjë të tillë. Nuk është e rastësishme që skandali i listave të veteranëve të luftës mund të rezultojë afera më e madhe pas luftës, sepse aty janë përfshirë njerëzit më me ndikim të ish-UÇK-së, sot pushtetarë të korruptuar. Ata shkelën mbi vlerat dhe parimet, mbi lirinë dhe demokracinë, mbi gjakun e atyre që ranë. Këto janë vite të humbura për Kosovën, sepse me "veteranët" në krye u shtuan abuzimet, keqpërdorimet, zhvatjet, degradimi i çdo sektori. Senatori McCain hapur kritikonte qeverinë e udhëhequr nga republikanët, kur e shihte se politikat ishin të gabuara. Një qëndrim i tillë rrallëherë bëhej publik nga ish-njerëzit e UÇK-së. Edhe kur ata kritikonin qeverinë e udhëhequr prej "veteranëve", anatemoheshin, sulmoheshin në mënyrë të paskrupullt nga mediet e oborrit, izoloheshin dhe kërcënoheshin. McCain mbetet një shembull se si lufta i mbetet historisë, ndërsa angazhimi politik qytetarëve. "Veteranët" tanë, fatkeqë- sisht, ndoqën një rrugë tjetër. Atë që tashmë e dimë të gjithë! 

 

(Kosova Sot)