Editoriali: Sovrani të marrë fatin e tij në dorë

  • 29 August 2018 - 17:04
Editoriali: Sovrani të marrë fatin e tij në dorë

Gjithçka që bëjnë ata tashmë është më se e qartë edhe për mbështetësit e tyre, është thjesht tipike mafioze! Prej gati dy dekadash, kanë dirigjuar gjithçka nën tokë e mbi tokë, në institucione e jashtë tyre. Zgjedhjet kanë qenë formale, sepse paraprakisht është ndarë torta e pushtetit. Demokracia ka ekzistuar në letër, ndërsa në praktikë asgjë nuk është demokratike në këtë vend, ku asnjë i ri nuk dëshiron më të jetojë. Dhjetëra miliarda euro kanë qarkulluar në duart e të ligjve që udhëhoqën Kosovën, ndërsa e tërë pasuria publike u bë rrush e kumbulla për interesa të ngushta. Xhepat e tyre u stërmbushën, llogaritë e fshehta jashtë vendit sigurisht janë me shifra disazeroshe. Për vete, për fëmijët, për nipërit e mbesat, kanë siguruar pasuri përrallore. Tash jemi në aktin e fundit pas Pavarësisë, në zhbërjen e saj. Ka kohë që nuk dëgjojmë asnjë lajm prej Gjykatës Speciale, edhe pse që prej vitit të kaluar zyrtarët e saj patën deklaruar se gjithç- ka është gati për të nisur aktakuzat e para. Personi më i lakuar në raportin e Dik Martit, mbi bazën e të cilit edhe u formuan Dhomat e Posaçme, fundvitin e kaluar, tentoi ta shfuqizonte Gjykatën Speciale, por u zmbraps pas presionit ndërkombëtar."Befasisht", pas kësaj tentative, presidenti i Kosovës doli hapur me propozimin për të bërë pazare territoriale me Serbinë. Ngutja e tij është aq frikësuese, sa përditë del në një konferencë për shtyp, ose shfaqet në ndonjë ekran televiziv që e kontrollon vetë, për ta promovuar synimin e tij, që është krejtësisht antikushtetues. Partnerët e tij në krye të institucioneve lëshojnë deklarata konfuze, gjoja e kundërshtojnë, por, në fakt, ata janë bashkë edhe në këtë aksion të çmendur politik, siç kanë qenë bashkë në të gjitha hajnitë që ia bënë këtij populli të vuajtur. E nëse drejtësia e kapur nuk do të guxojë t'i ndalë në veprimet e tyre kriminale, atëherë i mbetet sovranit të marrë fatin e tij në dorë. Ose, në rastin më të keq, t'ia lërë fatin në dorë një kaste kriminale që s'ka ndërmend të ndalet!

 

(Kosova Sot)