Editoriali:Çdo skenar me territoret është goditje e fortë për shtetësinë e Kosovës

  • 01 September 2018 - 17:16
Editoriali:Çdo skenar me territoret është goditje e fortë për shtetësinë e Kosovës

Mospajtimet mes presidentit të Republikës dhe kryeministrit, për mënyrën se si duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, nuk duken shumë të besueshme, duke i njohur të dy liderët, për fjalët e tyre të paqëndrueshme. Edhe njëri, edhe tjetri, shpesh kanë lëpirë atë që e kanë pështyrë më herët. Sa herë janë përbetuar se nuk bëjnë koalicion qeveritar, se nuk e mbështesin një marrëveshje apo vendim, se nuk bëjnë atë e këtë, por gjithnjë në fund të ditës i kanë përmbyllur me "sukses" pazaret, siç ishte rasti i Demarkacionit. Ngjashëm mund të rrjedhë situata edhe sa u përket bisedimeve me Serbinë. Ramush Haradinaj po shfaqet këmbëngulës në qëndrimin e tij që të mos ketë ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoriale. Deri këtu është në rregull ky qëndrim, por në anën tjetër, Hashim Thaçi po punon me mish e me shpirt, që ta realizojë skenarin e Aleksandër Vuçiqit, duke shkelur kështu në mënyrë flagrante mbi Kushtetutën, mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Situata është alarmante dhe në rrethana të tilla, një kryeministër i vetëdijshëm do të kërkonte shkarkimin e presidentit dhe do të jepte dorëheqje, se është në një koalicion me partinë e këtij lideri të shantazhuar që po e mban peng një vend të tërë. Pra, për të qenë i besueshëm kryeministri kosovar në kundërshtimin e idesë së presidentit, duhet të shkojë përtej retorikës së tij të përditshme dhe të ndërmarrë veprime konkrete. Vetëm PDK-ja aktualisht është në mbështetje të aventurës së Thaçit, që de fakto duket se ende e udhëheq këtë parti. Rënia e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje do t'i japë ndëshkimin maksimal atyre forcave që janë për zhbërjen e pavarësisë. Çdo skenar me territoret është goditje e fortë për shtetësinë e Kosovës, që me aq mund e kemi në këtë nivel. Presidenti duhet të ndalet dhe nëse Kuvendi nuk arrin ta shkarkojë, atëherë zgjedhjet e reja do t'ia heqin përfundimisht mundësinë dhe legjitimitetin për t'ia bërë këtë dëm të jashtëzakonshëm Kosovës, vetëm e vetëm që të shpëtojë nga Gjykata Speciale.

 

 

(Kosova Sot)