Editoriali: Kuvendi i cirkut

  • 05 September 2018 - 17:04
Editoriali: Kuvendi i cirkut

Seanca e së martës në Kuvendin e Kosovës e ka shpërfaqur krizën e thellë, në të cilën ndodhet politika kosovare, sidomos pas sherrit që e ka futur vendin i pari i shtetit, me idetë e tij të çoroditura për korrigjim të kufijve. Tempulli i popullit është bërë vend i cirkut e jo i zgjidhjes së problemeve, madje as i problemeve më të vogla, e të mos flasim për ato si dialogu përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A ka dëgjuar ndonjëherë ndokush që ky Kuvend të ketë diskutuar për kalbëzimin e sistemit të drejtësisë, apo për monopolet zhvatëse, për punësimet politike, për ekonominë në rrënim, apo shëndetësinë e arsimin në degradim? Presidenti i vendit nuk ia ka frikën Kuvendit, Qeveria jo se jo, dhe askush nuk jep përgjegjësi para të zgjedhurve të qytetarëve. Deputetët janë bërë mashë e shefave të tyre dhe dirigjohen po nga ata, sipas interesave klanore, biznesore dhe mafio-oligarkike. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është vetëm tash në krizë, por që nga fillimi i konstituimit të kësaj legjislature të re. A ka parë e dëgjuar ndokush që ky Kuvend të diskutojë për çështjen më të ndjeshme sot në Kosovë, nevojën për bërjen e një ligji të vetting-ut? A e ka incizuar ndonjë deputet, qoftë nga pozita apo opozita, nevojën më urgjente për të pasur një ligj të vetting-ut, me të cilin do të pastroheshin deri në themel institucionet e sistemit të drejtësisë? Me siguri se jo. Mund ta ketë përmendur ndonjë deputet këtë çështje sa për të thënë, por asnjë nismë ligjore dhe asnjë konsensus nuk është bërë për të bërë Ligjin e Vettingut. Politikanët i ikin vetting-ut sikur të ishte ai një vullkan i zjarrtë, i cili do të përvëlonte të parët ata. Në fakt, vetting-u është një uragan që pastron të korruptuarit nga sistemi, që largon nga drejtësia gjithë ata prokurorë e gjyqtarë që janë bërë të pasur si sheikët, në mënyrë të paligjshme dhe të korruptuar. Për çfarë na duhen këta deputetë që nuk janë në gjendje t'u dalin zot atyre që i kanë votuar, por janë aty vetëm për të ngritur dorën sa herë kanë nevojë shefat e politikës? Ky Kuvend duhet të shpërndahet sa më parë.

 

(Kosova Sot)