Editoriali: Toka në Kosovë nuk është për pazare

  • 07 September 2018 - 17:04
Editoriali: Toka në Kosovë nuk është për pazare

Kuvendi sërish ka dështuar që të arrijë një qëndrim unik politik, për të ndaluar presidentin e Kosovës që të negociojë për territorin me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq. Në fakt, Hashim Thaçin e ndalojnë Kushtetuta e Republikës dhe Kodi Penal që të diskutojë për territorin e shtetit tonë sovran dhe të pavarur, në kufijtë që na i njohin mbi 110 shtete të botës. Nisma për një rezolutë në Kuvend, që u përplas me propozimin paralel të Qeverisë për një ekip negociator, rezultoi, ashtu siç edhe pritej, më tepër një humbje kohe. Kuvendi duhet t'i kërkojë Gjykatës Kushtetuese dhe drejtësisë të hetojnë veprimet e presidentit aventurier, sepse ka argumente të bollshme për shkeljet flagrante që është duke i bërë pandalshëm. Duke e parë se si po sillet kreu i shtetit, i frikësuar nga Gjykata Speciale, është e qartë se ai mund të zmbrapset vetëm kur ta shohë rrezikun nga padia për tradhti kombëtare, që mund të ndodhë së shpejti. Mes dy alternativave, planit të Serbisë për veriun dhe ballafaqimit me drejtësinë, Thaçit do t'i duhet të mbajë njërën anë. Është më se e qartë se ai nuk ka më shpëtim dhe ky është fundi i turpshëm i karrierës së tij politike. Ky lider i pakorrigjueshëm, që tenton të korrigjojë kufijtë e Kosovës, pa përfillur askënd, po mbijeton në saje të shantazhimit të rivalëve, që i ka të dobët dhe të papërgjegjshëm, sepse të tillët gjithnjë i janë dashur në momente të vështira si tani. Por, shantazhi nuk mund të japë gjithnjë efekt, sepse nuk mund të shantazhosh një popull të tërë. Në këtë këndvështrim, edhe mobilizimi opozitar për të dalë në protesta, kundër ndarjes së Kosovës, është i domosdoshëm. Populli duhet t'ia tregojë vendin presidentit antikombëtar, duke e bërë një shembull që do t'u shërbejë të gjithë atyre që vijnë në pozita. Kjo tokë nuk është për pazare, sepse gjenerata të tëra kanë sakrifikuar për këtë vend!

 

(Kosova Sot)