Editoriali: 20 vjet "Kosova Sot"

  • 12 September 2018 - 17:08
Editoriali: 20 vjet

Një gazetë që lind në flakët e luftës për liri, digjet nga një regjim vrastar dhe i mbijeton një sundimi në paqe, është e destinuar të jetë pjesë e historisë. Dy dekada për "Kosova Sot" janë rrëfime vendosmërie, guximi, kurajoje për një sipërmarrje aspak të lehtë, por të qartë prej fillimit. E vërteta është ajo që dhemb më së shumti në këtë vend, prandaj kushdo që e mbron, e publikon, lufton për të, përballet me pasoja të paparashikueshme. E vërteta e rezistencës dhe përpjekjeve për çlirim, e godiste pushtuesin dhe kushdo që guxonte të vihej në anën e saj, ndëshkohej. Serbia e Millosheviqit na dogji dhe deshi të na zhdukte, ashtu siç tentoi ta shfarosë një popull të tërë nga trojet autoktone, gjithmonë shqiptare. Me sakrifica të panumërta u mëkëmbën. Fati i "Kosova Sot" ndoqi udhën ku eci një shoqëri e tërë pas lufte. Asnjëherë nuk e kishim menduar se në realitetin e paqes, pushteti i radhës do të bëhej edhe më i egër, sidomos ndaj shtypit të lirë. E vërteta sa vinte e bëhej më e frikshme, por duhej thënë, duhej mbrojtur në interes të qytetarëve. Sa më tepër na lexonin e na besonin, aq më shumë shtohej presioni e shantazhi. Sa më të fortë, objektivë e të paanshëm, aq më të sulmuar e të anatemuar nga hienat e pushtetit. Shpëtimi i vetëm ishin qytetarët, të cilët e kishin zgjedhur ushqimin e tyre shpirtëror, që na detyronte të mos dorëzoheshim ndaj kërcënuesve e bllokuesve në pushtet. Vit pas viti, sa më thellë shkrimet tona godisnin oligarkinë që po stërpasurohej përmes zhvatjes mbi kurrizin e popullit, aq më i rëndë e i paskrupullt bëhej sulmi i bandave politike që udhëheqin ende shtetin tonë. Kur e panë që nuk mund t'ia mbyllin gojën gazetës, zagarët e pushtetit filluan kundërligjshëm të bllokojnë e kafshojnë çdo sipërmarrje biznesore të themeluesit të gazetës "Kosova Sot". Duke shkelur ligje e kushtetutë, duke përdorur mashat e tyre në prokurori e gjykata, duke instrumentalizuar qeveri e komunë, ministra, gjyqtarë e drejtorë të korruptuar, na bllokuan në projekte vitale e zhvillimore për ekonominë e vendit dhe kryeqytetit për 10 vjet rresht. Hakmarrja e tyre e pështirë, megjithatë, nuk do të na ndalë. Drejtësia vonon, por nuk harron. Urime të gjithë lexuesve të gazetës më të madhe në vend, "Kosova Sot"!.

 

(Kosova Sot)