Editoriali: Ushtria… drejt dialogut!

  • 14 September 2018 - 17:07
Editoriali: Ushtria… drejt dialogut!

Ushtria është njëri ndër elementët kryesorë të shtetit, një atribut që Republika e Kosovës nuk e ka ende të formalizuar edhe de-jure, sepse defakto Forcat e Sigurisë janë një ushtri, e stërvitur, e përzgjedhur me standarde të NATO-s. Afati për transformimin e FSK-së ka qenë në vitin 2013, sipas Pakos së Ahtisarit, por për shkak të lidershipit grindavec, një gjë e tillë nuk ndodhi. Momenti ishte i volitshëm, sepse edhe përfaqësimi politik i pakicës serbe shquhej në atë kohe për një nivel të kënaqshëm bashkëpunimi. Megjithatë, kalkulimet e rivalëve partiakë, që siç thotë ajo fjala "për inat të vjehrrës, vdektë djali"..., e shtynë transformimin e FSK-së, ndërsa tash rrethanat kanë ndryshuar. Procedimi i pakos ligjore në qeveri për formimin e ushtrisë është më tepër një veprim politik, me qëllime të pasinqerta, të cilat duhet të na i thonë vetë vendimmarrësit. Liderët e dinë fare mirë se pa e ndryshuar Kushtetutën dhe pa pëlqimin e SHBA-së e partnerëve evropianë nuk mund të bëhet ushtria. Për ta ndryshuar Kushtetutën, duhen pyetur edhe serbët, pra duhet pyetur edhe Beogradi. Është shumë e pritshme që pas këtij vendimi të Qeverisë kosovare, në fazën finale të dialogut të përfshihet edhe tema e FSK-së, ashtu siç po përfshihen tashmë tema të tjera të rënda si territori, etj. Politikanët kosovarë po vazhdojnë të hedhin hapa të gabuar, ndërsa në mënyrën më skandaloze shfaqen të pakoordinuar, siç ndodhi dje kur presidenti një herë tha se nuk di gjë për Ligjin e ushtrisë e pastaj tha se e mbështet një nismë të tillë. Me këtë nivel të ulët lidershipi, nuk duhet të habitemi për asnjë gafë të tyre, prandaj është gjithnjë e më emergjente që sovrani me votë t'ua tregojë vendin partive shkatërrimtare të shtetësisë së Kosovës. Kuvendi tashmë u pa edhe dje, është tërësisht jofunksional, prandaj sa më gjatë rri në pushtet kjo qeveri, aq më e rëndë do të jetë situata e përgjithshme. 

 

(Kosova Sot)