Editoriali: Mashtrimi i madh me punësimin

  • 18 September 2018 - 17:03
Editoriali: Mashtrimi i madh me punësimin

Suksesi apo dështimi i secilës Qeveri nuk është abstrakt, por i matshëm. Fjalët propaganduese të qeveritarëve mund të përhapin paqartësi, megjithatë shifrat e agjencive zyrtare janë ato që e qartësojnë situatën. Kështu edhe raporti i radhës i ASK-së dëshmon se në çfarë niveli alarmant është performanca qeveritare, që e ka goditur më së tepërmi ekonominë dhe rininë. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës bëjnë të ditur se shkalla e papunësisë në Kosovë është rritur. Sipas tyre, në tremujorin e dytë të këtij viti shkalla e papunësisë ka qenë 29.4 për qind, krahasuar me 26.5 për qind në tremujorin paraprak. E dhënë më alarmante është se shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24- vjeçare me 55 për qind. Mund ta marrim me mend se kur të ndodhë liberalizimi çfarë fluksi të madh do të ketë nga Kosova në drejtim të vendeve të BE-së. Vetëm ai që nuk do të ketë kurrfarë iniciative do të rrijë në këtë vend të shkretë aktualisht e të sunduar politikisht dhe kriminalisht. Rritja e papunësisë, çuditërisht nuk u bën përshtypje as Qeverisë, as opozitës. Të gjithë janë të zënë me debatin për territoret, ndërsa dihet se kjo është një lojë e pistë e presidentit, që të shpëtojë lëkurën e tij nga Gjykata Speciale. Heshtja politike ndaj raportit të ASK-së dëshmon se çfarë klase e papërgjegjshme politike është duke na udhëhequr. Partitë që janë sot në pushtet kishin premtuar qindra mijëra vende të reja pune, një anëtar për familje të punësuar, rroga mesatare deri 1000 euro e plot e plot gjëra të tjera të mira. Por, ja ku jemi në përfundim të vitit të parë të Qeverisë "Haradinaj", ku shifrat tregojnë se numri i të papunëve është më i madh, ndërsa dëshpërimi shoqëror më i thellë. A e meriton, pra, ky pushtet të mbetet edhe më tutje në krye të vendit? Natyrisht se jo. Koha është për alternativa të reja politike, që i sjellin shtetit përparim dhe shpresë!

 

(Kosova Sot)