Editoriali:Një kryeqytet në anarki

  • 25 September 2018 - 17:15
Editoriali:Një kryeqytet në anarki

Fillimi i javës në Prishtinë është më i zorshëm se shumëçka tjetër. Komunikacioni është një tmerr i vërtetë, ndërsa askush nga zyrtarët kompetentë as që shqetësohet për të ndërmarrë diçka që të normalizojë trafikun e stërngarkuar. Zgjidhjet e gabuara urbanistike, mungesa e vizionit komunal për të vendosur rregull dhe për të investuar aty ku duhet, kanë bërë që kryeqyteti të shndërrohet në një qendër tërësisht anarkike. Ngado që lëviz me automjet, has në kolona të gjata me kilometra, ndërsa askund nuk ndihet dora e shtetit. Prishtina është një shembull tipik i mosfunksionimit të shtetit, i parregullsisë dhe abuzimit ligjor, i dembelisë së Komunës dhe kaosit të përgjithshëm. Ky është mandati i dytë i kryetarit Shpend Ahmeti dhe Lëvizjes "Vetëvendosje" në qeverisjen e kryeqytetit, por është dëshpëruese se çka është duke bërë ky ekzekutiv, totalisht i paaftë në adresimin e problemeve kryesore. Ende nuk ka asnjë zgjidhje për parkingjet, mungojnë nënkalimet në pikat më të frekuentuara, ndërsa bllokada që ndodh, sidomos në dy rrethrrotullimet në dalje të qytetit, është katastrofike. Nuk duhet të jesh ekspert komunikacioni, për të kuptuar se ky lloj organizimi i trafikut është absurd dhe i padobishëm për qytetarët. Situata është e ngjashme ngado në Prishtinë, në secilën lagje, në tregjet e stërmbushura, në rrugët kryesore. Është injoruese për kryeqytetasit kjo neglizhencë komunale, gjatë tërë këtyre viteve, kur askush nuk e merr mundimin të kujdeset për vendosjen e rregullit në Prishtinë. Në vend se të ndjehen kryeqytetas, banorët sot përjetojnë një lloj Kandahari përditë. Ndërkohë, kryetari i rizgjedhur, po dëshmohet dita -ditës se është zgjidhja më e gabuar që mund t'i ndodhte një kryeqendre si Prishtina. Asgjë nuk funksionon dhe asgjë nuk përmirësohet. Është e çuditshme se sa të fortë e kanë durimin njerëzit, të cilët megjithëse përjetojnë një anarki për shkak të mosfunksionimit të Komunës së pari, vazhdojnë të heshtin. Por, një ditë, edhe heshtjes do t'i vijë fundit, sepse kupa është mbushur me këtë qeverisje dështake.

 

 

(Kosova Sot)