Editoriali: "Drejtësia 2020", kamuflimi i radhës i regjimit mafioz

  • 26 September 2018 - 17:00
Editoriali:

Përderisa nuk janë në gjendje të vendosin sundimin e ligjit, atëherë pushteti vendos sundimin e propagandës. Në funksion të kësaj është edhe lansimi i shakasë së re të quajtur "Drejtësia 2020", ku pretendohet se në këtë vit, telashet e vjetra nuk do të ekzistojnë më, sepse institucionet kompetente do të bëjnë reforma, do t'i kryejnë të gjitha lëndët e vjetra dhe me një fjalë, çdo gjë do të lulëzojë. Sipas marionetës së presidentit Thaçi, që udhëheq dikasterin e Drejtësisë, mjaftojnë dy vjet dhe drejtësia kosovare do të ketë një fytyrë tjetër. Por, qytetarët nuk mund të mashtrohen më, pasi e dinë fare mirë se veç mos u përplasshin në dyert e prokurorive e gjykatave tona ku duhet të përjetosh një kalvar të gjatë, e në fund e pëson. Populli mbetet i shtypur dhe i diskriminuar nga drejtësia, të cilën e paguan me taksat që mbushin buxhetin, ndërsa në anën tjetër, sundimtarët dhe klientela e tyre gjithnjë favorizohen. Ministri dhe krerët e organeve kryesore të drejtësisë dalin kot në konferenca shtypi apo ngjarje të tjera publike, për të folur se gjoja paska progres, sepse e dinë fare mirë, që me këtë garniturë në institucione, nuk do të ketë kurrë drejtësi. Ky është edhe një mashtrim tipik i regjimit autoritar, që drejtësinë e përdor për të shantazhuar rivalët dhe qytetarët që ngrenë zërin kundër padrejtësive. Po të kishte drejtësi të vërtetë, do t'i shihnim në bankën e të akuzuarve emrat kryesorë të politikës, që njëkohësisht janë edhe njerëzit më të pasur në Kosovë. Drejtësia nuk vendoset me fushata dhe propagandë qeveritare, por vetëm me zbatimin rigoroz të ligjit, diçka e pamundur aktualisht në vendin tonë, që udhëhiqet nga mafia politike dhe nëntoka kriminale. Publiku duhet ta kuptojë se edhe "Drejtësia 2020" është një spekulim tjetër i pushtetit, që synon të shtojë mjegullën për të amnistuar të korruptuarit në institucione

 

(Kosova Sot)