Editoriali:Koalicioni në krizë të thellë

  • 04 October 2018 - 17:14
Editoriali:Koalicioni në krizë të thellë

Rënia drastike e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kryesore, Ekzekutivit, Presidencës dhe drejtësisë, është e pritshme për opinionin dhe tregon se ndryshimet politike janë të domosdoshme. Pushteti aktualisht e ka humbur legjitimitetin, prandaj duket se mund të jetë çështje javës apo muajsh vendimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjithçka do të varet nga pazaret që do të bëjnë liderët, të cilët edhe pse në publik shfaqen rivalë, prapa perdes bëjnë pazare dhe ndajnë tortën e pushtetit. Politikanët kosovarë janë bërë mjeshtër të dallavereve dhe gjithnjë "befasojnë" me zgjedhjet e tyre. Pra, nesër nuk ka pse të habitemi, nëse dy kundërshtarë të përbetuar bëhen bashkë në koalicion për të fituar zgjedhjet, edhe pse asgjë nuk i garanton, sepse pakënaqësitë e popullit janë të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, zgjedhjet gjithnjë janë një mundësi për të nxjerrë një Kuvend më cilësor, për të zgjedhur një kryeministër të përgjegjshëm dhe për t'i hapur rrugën një presidenti unifikues e jo si ky që e kemi në krye të shtetit, që po rrezikon ta kthejë përmbys tërë atë që është arritur me mund e sakrifica. Qeveria është e hendikepuar në çdo vendim që merr, sidomos pas bojkotimit të Kuvendit nga dy partitë kryesore të opozitës, LDK dhe "Vetëvendosje". Nga ana tjetër, telashet me drejtësinë po e ulin numrin e deputetëve të koalicionit qeveritar , duke pamundësuar proceset e rëndësishme ligjbërëse, vendimet e ndryshme për emërime në borde etj. Sinjalin për prishjen e Qeverisë e ka dhënë hapur PDK-ja, edhe pse mund të tingëllojë si një luftë e brendshme mes presidentit dhe kryeparlamentarit. Aventura me dialogun nga ana e kreut të Republikës është kulmi i të këqijave të këtij pushteti, prandaj dalja në zgjedhje do të ishte edhe një votë përcaktuese për ata që e mbështesin ndarjen e Kosovës apo janë kundër saj. Presidenti, vetëm kështu do ta merrte ndëshkimin e merituar, bashkë me partnerët e tij në këtë krim të rëndë shtetëror. 

 

(Kosova Sot)